E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Shqipërisë bashkon shqiptarët në Tiranë

18/01/2012  Çelen festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë në ditën e vdekjes së heroit kombëtar

Në seancën speciale plenare morën pjesë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi

Përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare u mblodhën dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për të celebruar të bashkuar nisjen e kalendarit të veprimtarive festive me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ditën e djeshme, e cila përkoi me 544-vjetorin e prijësit dhe heroit kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, udhëheqës dhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi festuan nisjen e ditëlindjes kombëtare të shqiptarëve. Krahas deputetëve shqiptarë, si nga mazhoranca dhe opozita, të pranishëm ishin anëtarë të parlamentit të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, ndërsa në lozha ishin akomoduar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Seanca e posaçme e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua me një atmosferë festive, e cila nisi jashtë ambienteve të Kuvendit me këngë e valle popullore nga krahina të ndryshme të vendit si dhe banda frymore e Tiranës.

Gjatë fjalës së saj hapëse nga foltorja e Kuvendit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se “shqiptarët celebrojnë ditëlindjen e madhe kombëtare”. Topalli e cilësoi historinë e krijimit të shtetit shqiptar si histori gjaku dhe djerse për ata që e jetuan dhe përcaktuan të ardhmen e shqiptarëve. “Ne nderojmë ata që lexuan Deklaratën e Pavarësisë. Historia për krijimin e shtetit shqiptar nuk ishte vetëm histori gjaku, por dhe djerse e vizioni, që përvijuan të ardhmen e vet dhe të tonën. Pa veprën e tyre ne nuk do kishim Shqipëri, Kosovën, flamurin dhe kombin, ndaj ne festojmë me liri Ditën tonë të Flamurit”,- tha kryeparlamentarja Topalli. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se shqiptarët festojnë dhe i falen flamurit të Skënderbeut, i cili përmbledh kujtimet e një kombi.

Seancën speciale që organizoi Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e përshëndeti dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi. Ai theksoi se Pavarësia e Shqipërisë, data e shpalljes së saj, është një datë e veçantë dhe për Kosovën, pasi nga ajo datë pati vetërilindije dhe rilindje. Sipas Krasniqit, emra të shquar si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari, që mund të barazohen me simbiozën mençuri dhe trimëri, sollën përvjetorë të tillë që nuk mund të jenë veç bazament reflektimi. Sipas Krasniqit, politika sot duhet të marrë shembull nga këta emra.

Ademi: Ky është shekulli i shqiptarëve

Deputeti i Parlamentit të Maqedonisë Xhevat Ademi në fjalën tha dje se “Shekulli XXI përfundimisht është shekulli i shqiptarëve, ne shqiptarët e Maqedonisë, i gëzohemi dhe frymëzohemi me të arriturat e Shqipërisë, fakti që sot Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, në rrugën pa kthim drejt proceseve euro-integruese. Fakti që sot Kosova, ajo plagë e jona që ka kulluar ndër shekull, në këtë janar fillon bisedimet për liberalizim dhe trajtëson rrugën e pakshim drejt proceseve euro-integruese. Fakti që shqiptarët e Maqedonisë mbase nuk kanë realizuar gjithë ëndrrën e tyre për të qenë të barabartë tërësisht me komunitetin maqedonas, përfundimisht janë në rrugë të mbarë sepse proceset euro-integruese të rajonit në radhë të parë janë interesi ynë strategjik kombëtar dhe nga kjo rrugë fatmirësisht kthim prapa nuk ka.”

Përvjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, PDIU-ja homazhe në Lezhë

Muhedini: Varri i tij pikë pelegrinazhi

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me rastin e 544-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar bëri homazhe në varrin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në qytetin e Lezhës. E shoqëruar nga shoqata “Çamëria” dhe klubi “Patriotët e Rinj”, partia e Shpëtim Idrizit vendosi kurora me lule në varrin e Heroit tonë Kombëtar në përvjetorin e 544-vjetorin e vdekjes së tij. Në fjalën e tij në këtë ceremoni përkujtimore presidenti i nderit i PDIU-së Tahir Muhedini bëri thirrje për ngritjen e një panteoni për të gjitha figurat kombëtare shqiptare. “Ky panteon duhet të jetë një pikë pelegrinazhi për çdo shqiptar. Shqiptarët e Çamërisë, pjesë e pandashme e kombit shqiptar, me siguri do të përfaqësohen në këtë panteon së bashku me patriotët shqiptarë nga të gjitha krahinat”, - tha Muhedini. Ndërsa kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, shprehu mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve dhe frymëzimin nga vepra e Heroit Kombëtar, ndërsa përfaqësuesi i klubit “Patriotët e Rinj”, Florian Tahiri, duke folur në emër të të rinjve, u shpreh se patriotizmi është një ndjenjë që më shumë se kushdo duhet të kultivohet nga moshat e reja. Data 7 janar e këtij viti shënon 544-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Ai ishte përfaqësuesi më i shquar i elitës shqiptare, që udhëhoqi frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Skënderbeu realizoi të parin bashkim të shqiptarëve: Lidhjen Shqiptare të Lezhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›