E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë, konferencë me Sekretarët e Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor për dixhitalizimin e pushtetit legjislativ.Teknologjia e Informacionit, esenciale për transparencën e Parlamentit dhe forcimit të lidhjeve me qyteta

  Teknologjia e  informacionit në funksion të rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të parlamenteve, ështe tema e konferencës dy ditore,  të Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet  në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.   Në këtë seminar, si  nismë e Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, morën pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të administratës të parlamenteve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Të pranishëm për të ndarë përvojën e tyre me kolegët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë gjatë punimeve edhe ekspertë nga parlamentet e Sllovenisë, Austrisë dhe Estonisë.   Në hapje të diksutimeve , Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi si shumë të rëndësishëm ndikimin që ka përdorimi i teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në forcimin dhe përtëritjen e demokracisë.
Detyra jonë si Kryetarë të Parlamenteve apo deputetë, siç thuhet edhe në përmbledhjen e World e-parliament conference është: të ushtrojmë vullnetin tonë politik për të promovuar e inkurajuar e-parliament në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim përmirësimin e cilësisë së demokracisë dhe evoluimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike në vitet që vijnë.   Duke theksuar se ky aktivitet zhvillohet në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë po përjeton një revolucion të vërtetë të zhvillimit teknologjik, dhe të informacionit, Kryetarja e Kuvendit përmendi disa nga investimet që po bëhen aktualisht për të transformuar Kuvendin e Shqipërisë në një e-parliament të kohës.
Në këtë pikë Kryetarja e Kuvendit veçoi projektin që pritet të realizohet në një kohë sa më të shpejtë, transmetimin on-line të seancave plenare në faqen e internetit të Kuvendit www.parlament.al, si dhe krijimin e një Data Base-i të ligjeve , projekt i cili do të vendosë Parlamentin e Shqipërisë në të njëjtin nivel me parlamentet e Europës.   Vetëm nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit dhe e-parliament, Parlamenti mund të fokusohet në të drejtën e qytetarëve për akses në informimin publik, në detyrimin për transparencë. Ska detyrim më të madh për politikën sesa të bëjë transparencë për çdo gjë: për jetën e politikanëve, për vendimet e tyre, për veprimet e tyre, për lidhjet e tyre. Sfida jonë është sesi Parlamenti mund të zhvillojë një rrjet komunikimi me qytetarët për të komunikuar me ta politikat apo problemet , si mund të nxisë dialogun dhe përfshirjen qytetare në debate apo çështje legjilsative. theksoi Kryetarja e Kuvendit. (Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit)   Nga ana e tij, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, duke përshëndetur seminarin, kujtoi se nuk është shumë e largët koha kur për të kërkuar informacion, përdoreshin enciklopeditë. 
  Teknologjia e komunikimit dhe informacionit është një mjet esencial për procesin ligjvënës, transparencën dhe komunikimin me publikun, u shpreh Ambasadori Bosch.
Në funksion të transparencës dhe lidhjeve më të ngushta me qytetarët, zoti Bosch nënvizoi se është shumë e rëndësishme që deputetët të angazhohen në përdorimin e teknologjisë së informacionit për të informuar dhe për tu konsultuar me qytetarët gjatë procesit të hartimit të një ligji.   Ambasadori Bosch falenderoi Kryetaren e Kuvendit për mbështetjen që po jep në projektit e përbashkët me OSBE, për e-parliament.   Pjesëmarrësit në seminar nënvizuan se teknologjia e informacionit është një mjet esencial për rritjen e transparencës, efektivitetit dhe përgjëshmërisë së Parlamentit, si dhe për rritjen në cilësi dhe në formë të  marrëdhënieve të këtij pushteti me qytetarët.
                                   Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›