E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Franceze organizon Konferencën Roli i grave në politikë

"Jam jashtëzakonisht krenare nga raporti i Komisionit Europian për heqjen e vizave. Ashtu si arritja e datave të tjera historike për vendin tonë edhe kjo është një datë dhe do të jetë një datë e tillë, ky vit do të jetë një vit i jashtëzakonshëm. Me këto fjalë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli hapi sot punimet e Konferencës Roli i grave në politikë, e organizuar nën kujdesin e veçantë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasadës së Francës në Tiranë. Konferenca, u organizua në sallën Pjetër Arbnori, në ambjentet e Kuvendit, ku të ftuar ishin Drejtoresha e Kërkimit Politik CEVIPOF, Janine Mossuz-Lavau, Ambasadoret Zvicrës, Polonisë, Egjiptit, deputetë etj. Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Jozefina Topalli vuri në dukje momentet historike që po përjeton Shqipëria duke vlerësuar këtu reformat e gjithanëshme që mundësuan dorëzimin e Pyetësorit për marrjen e statusit kandidat në BE si dhe realizimin e afër të liberalizimit të vizave, projekt jetik për mbarë shqiptarët. Kryetarja Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen dhe falenderimet e saj për pjesëmarrjen dhe interesin e të ftuarve lidhur me rritjen dhe forcimin e rolit të gruas në politikë. Në vijim ajo vlerësoi se falë anagazhimit dhe ligjeve të miratuara, Shqipëria është një vend ku shifrat janë në favor të gruas. Shkuarja drejt përfaqësimit të barabartë, proporcionalisht me atë që është në shoqëri dhe në nivelet e vendim-marrjes është çështje e së drejtës dhe është çështje e demokracisë dhe për këtë ne nuk do të reshtim asnjëherë së luftuari u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga të pranishmit në konferencë bashkëpunimin në luftën kundër kancerit, një fenomen që po përhapet gjithnjë e më shumë. Në këtë kontekst ajo renditi disa nga temat prioritare që Parlamenti ka trajtuar duke veçuar temën e dhunës në familje si një fenomen i rëndë, i dhimbshëm dhe i papranueshëm. Më pas fjalën e mori Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet e cila e vlerësoi temën për rolin e gruas në politikë si një temë aktuale jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e tjera të Europës. Konkretisht ajo theksoi se ka shumë debate që bëhen sot në lidhje me këtë temë në Europë dhe sipas saj në mbarë botën kjo temë është në qendër të diskutimevë, është një temë e lashtë dhe gjithmonë e më shumë e rrahur. Zonja Maryse Daviet sapo ka botuar një libër me një titull jashtëzakonisht interesant në reflektimin aktual në lidhje me temë Lufta e sekseve sot . Sot kjo temë aktualiteti kalon nepërmjet këtyre kanaleve politike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, pra në mbarë Europën. Gjithashtu ajo përshkon çështjet e grave në politikë, çështjen e kulturave, sepse të gjitha kulturat kanë probleme me gratë në politikë, qoftë në Azi, në Europë, në Amerikë, në Afrikë, kudo, është një çështje që përshkon tejpërtej kufijtë u shpreh Daviet.

Gjithashtu, gjatë punimeve të konferencës referoi edhe Drejtoresha e kërkimit politik CEVIPOF, Janine Moussuz Lavau. Pasi falenderoi Kryetaren Topalli dhe Ambasadoren Daviet për këtë konferencë, znj.Lavau vlerësoi kontributin politik që shtetet duhet të japin për të siguruar pjesëmarrjen e grave. Ndër të tjera zonja Lavau theksoi rëndësinë e implementimit të ligjit për barazinë gjinore si një zë i veçantë në forcimin e rolit të gruas në vendimmarrje për çështje të rëndësishme të aspektit shoqëror, politik, social ekonomik etj.

Në vijim, fjalën e mori Kryetari i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zoti Tritan Shehu i cili theksoi se Parlamenti Shqiptar ka kryer arritje të mëdha në miratimin e legjislacionit për të drejtat dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë ndërkohë që vlerësoi se vet Kryetarja e Kuvedit është një model se Shqipëria ka shënuar arritje në këtë fushë. Edhe Kryetari i Komisionit për Politikat e Jashtme, zoti Fatos Beja i pranishëm në konferencë vlerësoi rritjen e rolit të gruas në vendim-marrje dhe politikë. Më pas të pranishmit hapën një diskutim të lirë duke shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me rolin e grave në politikë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›