E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë organizon Konferencën Rajonale Forcimi i Bashkëpunimit në Fushën e Sigurisë për një Anëtarësim të shpejtë të Europës Juglindore në BE.

  Konferenca rajonale me temë Forcimi i Bashkëpunimit në Fushën e Sigurisë për një Anëtarësim të  shpejtë të Europës Juglindore në  BE e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, filloi punimet sot në mjediset e Hotel Tirana International.
 
Në fjalën përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm, në Tiranë, duke theksuar se kjo konferencë mbahet  tetë muaj pasi Shqipëria, vend anëtar i NATO-s bashkë me Kroacinë, ulet në karrige, e barabartë me vendet krenarë,  për demokracinë e tyre.   Shqipëria sot është në një fazë të re, me sfida të reja dhe që kërkon përgjigje të reja. Reformat nuk do ndalen, përkundrazi do përshpejtohen në katërvjeçarin e ardhshëm.
Ne  kemi dëshmuar një vullnet të çeliktë në shkatërrimin e bandave kriminale dhe për këtë u shpërblyem me NATO-n.
Ne do vazhdojmë ti bëjmë betejë çdo interesi kriminal apo mafioz të veshur apo jo me kostum zyrtari, për tu shpërblyer me BE-në. Sot vendi ynë, nuk është vetëm një vend i NATO-s. Shqipëria ka kapur një tjetër stacion të rëndësishëm.
Më 16 nëntor 2009, Bashkimi Europian e pranoi kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat. Kjo ishte po aq e rëndësishme, sa ishte ftesa për në NATO, tha Kryetarja e Kuvendit.   Kryetarja e Kuvendit, duke falënderuar për pjesëmarrjen e gjerë, shprehu besimin që përmes kësaj konference për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe një anëtarësimi të shpejtë të Europës Juglindore në BE, një ndër pikat më kryesore në të cilën kjo konferencë do të dalë është ajo e krijimit të Asamblesë Parlamentare për Europën Juglindore e cila do të trajtojë problemet e sigurisë.    Konferenca u përshëndet edhe nga zoti Eduard Kukan, përfaqësues i Kryetarit të Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, njëkohësisht Kryetari i Delegacionit të PE për marrëdhëniet me Evropën Juglindore.   Duke përcjellë përshëndetjet dhe urimet më të mira të kreut të Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, zoti Kukan falënderoi Kryetaren e Kuvendit për organizimin e këtij aktiviteti në Tiranë.
Ndër të tjera, zoti Kukan vuri në dukje se ky vit ka qenë shumë i rëndësishëm për rajonin në përgjithësi dhe veçanërisht për Shqipërinë, e cila pas anëtarësimit në NATO mori edhe miratimin e Statusit të vendit Kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Përfaqësuesi i Parlamentit Europian nënvizoi se ky institucion mbetet promotor i rëndësishëm për liberalizimin e vizave për të gjithë rrajonin e Europës Juglindore dhe se Traktati i Lisbonës ishte gjithashtu i rëndësishëm për vendosjen e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.   Në këtë kuadër, zoti Kukan shprehu kënaqësinë që,  pavarësisht krizës globale, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vazhduar me reformat, me objektiv final integrimin në BE.
Duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që rajoni i Europës Juglindore do të ketë nga Parlamenti Europian, zoti Kukan inkurajoi të gjithë vendeve aspirante për tu anëtarësuar në BE, që të vijojnë me reformat dhe bashkëpunimin e ngushtë rajonal.   Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha në përshëndetje të konferencës, u shpreh se çështja e sigurisë, është një çështje parësore për Qeverinë shqiptare. Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të arritjeve të Qeverisë në luftën ndaj krimit të organizuar, zoti Berisha theksoi se treguesit e kriminalitetit në vend aktualisht janë nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.   Duke u ndalur në miratimin, së fundmi, të ligjit antimafia, Kryeministri theksoi se ky ligji ri synon goditjen e klaneve të mafias nëpërmjet goditjes së krimit ekonomik, pasi në të kundërt, lufta kundër mafias do të mbetej një iluzion.
Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmen në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik, në asnjë rast dhe në asnjë rrethane, ato nuk mund ti rezistojnë ligjit, u shpreh Kryeministri Berisha.   Më tej, Kryeministri u shpreh se "çështja e sigurisë nuk mund të marrë zgjidhje në rast se ajo trajtohet vetën në nivel kombëtar, dhe duke vlerësuar bashkëpunimin me vendet e rajonit.  "Për këtë arsye kërkohet përkushtim dhe angazhim i madh e i vazhdueshëm rajonal dhe ndërkombëtar, në mënyrë që kjo çështje të marrë përgjigjen më të mirë dhe të garantojë sigurinë më të lartë".   Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang, Grossruck, vlerësoi mbajtjen e kësaj konference në Tiranë dhe nënvizoi se ky takim nxit më tej forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.   Kryetari i Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Leonard Demi u shpreh se ky takim tepër i rëndësishëm do të trajtojë çështje të sigurisë kufitare, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, trafiqeve dhe formave të tjera të krimit ndërkombëtar.   Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, delegacione parlamentare nga Bosnjë-Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia, si dhe përfaqësues nga parlamentet e Austrisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë; përfaqësues nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, NATO, Europol, Interpol, Ministri i Punëve të Jashtme, i Brendshëm, i Drejtësisë, i Financave, i Mbrojtjes, Drejtori i SHISH, Drejtori i Policisë; ambasadorë të vendeve pjesëmarrëse dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë, OSBE, PAMECA, ICITAP, EURALIS, OBDAT, përfaqësues të shoqërisë civile, palë të interesuara, studentë, etj.
 
Konferenca rajonale, do të mbajë punimet dy ditë. 

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›