E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i heq imunitetin, Prifti: Jam i hapur për hetime

Një javë pas Ilir Metës edhe Dritan Prifti është pa imunitet. Me 119 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim deputetët kanë vendosur në seancën e djeshme parlamentare të heqin mbrojtjen ligjore për ish-ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Prifti nuk ishte prezent në seancë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përforcoi kërkesën duke deklaruar se vetë Prifti në Këshillin e Mandateve u shpreh që ishte gati të hetohej dhe të hiqte dorë nga imuniteti i tij si deputet. Në momentin e votimit në sallë nuk kanë marrë pjesë në procedurë deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në prag të seancës deputeti Dritan Prifti i ka dërguar një letër kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, nëpërmjet së cilës justifikon mungesën në seancën e heqjes së imunitetit të tij dhe paralelisht u bën thirrje deputetëve që t’ia heqin imunitetin. Prifti ia ka dorëzuar herët në mëngjes letrën deputetit të PS-së, Taulant Balla, ndërsa ky i fundit e ka protokolluar në Kuvend më pas. “Kam gjykuar mos të marr pjesë sot në seancë, meqë Kuvendi voton për dhënien e autorizimit për Prokurorinë për hetime ndaj meje. Nuk dua që kolegët deputetë të ndikohen në votim nga prezenca ime në sallë. U kërkoj kolegëve, që pavarësisht nga marrëdhënia personale apo politike që kanë me mua, të votojnë “pro” dhënies së autorizimit për Prokurorinë. Unë e kam deklaruar që në mbledhjen e Komisionit të Rregullores dhe Mandateve, që jam gati të lëshoj imunitetin tim parlamentar për çdo lloj hetimi nga Prokuroria”, shkruan Prifti. Kam deklaruar votën time “pro”, shton ai, për të ndryshuar Kushtetutën e vendit, për ta hequr përgjithmonë nga Kushtetuta imunitetin parlamentar, ashtu siç kam deklaruar që jam dakord me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit për kufizimin e imunitetit dhe lëshimin e tij automatikisht për çdo kërkesë të Prokurorisë. Më tej deputeti bën të qartë se, sipas tij, veprimi i Prokurorisë për kërkimin e imunitetit është i çuditshëm në kushtet kur ai nuk ka dhënë asnjë sqarim paraprak, megjithatë ai sërish angazhohet në mbështetjen e kësaj nisme. “Përpara drejtësisë të gjithë duhet të jenë të barabartë, dhe deputetët nuk duhet të kenë imunitet ndaj çdo lloj hetimi. Prokuroria e Përgjithshme gjykoi që të kërkojë autorizim nga Kuvendi për ndjekjen time penale, në lidhje me një video që unë kam regjistruar vetë. Pavarësisht sa i çuditur jam unë nga kjo kërkesë, pavarësisht se në video nuk ka asnjë veprim të kundërligjshëm nga ana ime, pavarësisht se do më pëlqente të më kishin lejuar të jepja vullnetarisht sqarimet e mia, përpara se të bëhej kjo kërkesë për heqje imuniteti, tani jemi përpara një kërkese zyrtare të mbërritur në Kuvend. Meqë Prokuroria ka dyshime se në këtë video mund të ketë veprime të parregullta dhe të kundërligjshme, unë ju kërkoj t’i hapim rrugë këtij hetimi sa më shpejt”, shkruan ndër të tjera Dritan Prifti. Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës akuzohet për korrupsion, pasi ekspertët amerikanë të hetimit arritën të identifikonin pjesë të tjera filmike në videon origjinale të bisedës me Metën, që Prifti dorëzoi në Prokurori. Sipas ekspertëve, videoja që ishte fshirë, ishte regjistruar më 11.3.2010 ku flitet për përfitime të parregullta, ku ndër të tjera është filmuar ndarja e një shume parash prej 70 mijë eurosh mes ish-ministrit të Energjetikës dhe zv. ministrit të tij Leonard Beqiri. Prokuroria Shqiptare kërkoi më 11 shkurt 2011 heqjen e imunitetit jo vetëm të Ilir Metës, por edhe të ish-ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, për të qartësuar pozicionin në lidhje me këtë video të dytë, sipas së cilës edhe Prifti është i përfshirë në një aferë përfitimesh në zyrat e shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›