E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fusnota problematike

Marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës me fusnotë, ku përmendet Rezoluta 1244, mund të ketë ndikim negativ në procesin e njohjeve. Sipas Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, një ndikim pozitiv mund të ndodhë vetëm te pesë shtetet e BE’së. Gashi pohoi se megjithatë përpjekjet për lobim nuk janë ndalë as nga Zëvendëskryeministri Pacolli, i cili po qëndron në Angolë.

Marrëveshja për përfaqësimin rajonal, me të cilën Kosova do të paraqitet si shtet me fusnotën ku figuron Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB’së si dhe opinioni i GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë, nuk pritet të ketë ndikim pozitiv për njohjet e reja të shtetësisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi në një prononcim për Express, të enjten ka thënë se ndikim pozitiv mund të ketë vetëm te pesë shtetet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur pavarësinë.

“Realisht i vetmi ndikim pozitiv është tek ato shtete. Ndonëse ato nuk e kanë njohur shtetësinë de- jure, nuk do ta ndalojnë Kosovën që të përfaqësohet si shtet apo edhe të pengojnë atë në marrjen e raporteve konrtraktuale me BE’në”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, Serbia dhe shtetet të cilat nuk ia duan të mirën Kosovës do ta përdorin medoemos fusnotën si kundër-argument për njohjen e shtetësisë së saj.

“Tek shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën kjo mund të përdoret si armë për të arritur konfuzione”, ka thënë ai.

“Jam shumë i bindur që Serbia do ta përdorë atë, por ne jemi shumë të përkushtuar që të mos e tolerojmë këtë dhe po punojmë në drejtim të përfaqësimit sa më të denjë të Kosovës si shtet karshi atyre që nuk e kanë njohur ende”, ka shtuar Zëvendësministri Gashi.

E, pavarësisht se udhëheqësit kosovarë kanë pranuar përfaqësimin e shtetit me fusnotën, për të cilën e kanë ditur se do të jetë problematike, ata nuk janë kursyer nga proklamimet se do të ketë vrull të njohjeve të reja.

Madje, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, pati deklaruar se vetëm në muajin mars të këtij viti, Kosova pret një varg prej këtyre njohjeve. Jo me aq siguri për këtë, ndërkaq, foli zëvendësi i tij Gashi.

“Po shpresojmë që kemi me pas njohje gjatë këtij muaji edhe ministri Hoxhaj edhe Zëvendëskryeministri Pacolli janë duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim dhe të themi të drejtën ende nuk kemi asgjë definitive nga shtetet ku po bëhet lotimi, mirëpo po shpresojmë shumë që do të ketë lëvizje pozitive, meqë kemi marrë edhe sinjale të tilla nga shtete përkatëse”, bëri të ditur Gashi.

Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli e quajti si një ndër aktorët më aktivë në drejtim të lotimit, sidomos në viset afrikane.

“Zëvendëskryeministrit Pacolli, të themi të drejtën ai është më aktiv në këtë drejtim, sidomos në regjionet e kontinentit të Afrikës”.

Gashi bëri të ditur se këtyre ditëve Pacolli është duke qëndruar në Republikën afrikane të Angolës, ku po takohet me udhëheqës të lartë shtetërorë.

“Ai është në Angola, ku ka shkuar që sa ditë dhe qëllimi i shkuarjes është krejtësisht i drejtimit të lobimit për njohje. Atje do të takojë zyrtarë të lartë të shtetit prej të cilëve synon të marrë qëndrimet e Afrikës karshi njohjes së Kosovës si dhe të përafrohet me shtetet e Afrikës”, njoftoi ai.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka një agjendë të ngjeshur të takimeve me përfaqësues të atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk kisha dashtë me fol për numra apo emra të shteteve nga të cilët presim dritën jeshile sa i përket njohjes, ngase ju e dini që vetë procesi i njohjeve është proces kompleks”, ka thënë Gashi, duke mos komentuar rreth emrave të mundshëm të shteteve që mund të njohin Kosovën në këtë muaj.

“Ju e dini që, për shembull, publikimi i vendimit të Ganës ka nxitur kundër-reaktorët si Serbia që të veprojnë dhe të proklamojnë se po largohen ambasadorët e Ganës nga Serbia për shkak të kësaj, mirëpo ne e dimë sigurt që Gana po do me mbyll ambasadën në Serbi për shkaqe tjera”, u shpreh Gashi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›