E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i ri do të ketë 21 deputete femra

Parlamenti i ardhshëm do të ketë 21 ligjvënës të gjinisë femërore. Për herë të parë në të gjitha legjislaturat e 20 viteve të fundit, gjinia femërore do të jetë më e përfaqësuar në institucionin më të lartë vendimmarrës. 21 deputetet femra janë prodhim i dy partive kryesore në vend, PD e PS, ku socialistët kanë arritur deri më tani të marrin 11 mandate të gjinisë femërore dhe demokratët 10 mandate. Janë dy qarqe, Kukësi dhe Dibra, rezultati i të cilave nuk shënon ndonjë deputete femër. Ndërsa Korça, Elbasani dhe Tirana kanë numrin më të madh të deputetëve, kjo edhe për shkak të numrit të madh të mandateve që nxjerr secili prej këtyre tri qarqeve. Kështu, në Qarkun e Shkodrës kryesojnë femrat që vijnë nga Partia Demokratike, Jozefina Topalli dhe Arenca Trashani, ndërsa Partia Socialiste nuk ka asnjë deputete. Në Lezhë, gjinia femërore përfaqësohet nga një deputete e selisë blu, Pavlina Hoti. Për të vijuar në Qarkun e Durrësit, me dy mandate, Albana Vokshi dhe Rudina Seseri, të renditura të dytat në listat respektive të partive kryesore. Në Qarkun e Tiranës, tri deputete vijnë nga selia blu, Rajmonda Bulku, Majlinda Bregu dhe Lajla Përnaska, ndërsa dy nga selia rozë, Vasilika Hysi dhe Enkelejda Shkreli. Qarku i Elbasanit do të përfaqësohet nga tre deputete, Valentina Leskaj nga PS, Shegushe Ligori nga PS, si dhe Adriana Gjoni nga PD. Në Qarkun e Fierit do të jenë dy deputete femra, Mesila Doda nga PD dhe Ermelinda Meksi nga Partia Socialiste. Në Qarkun e Gjirokastrës do të ketë vetëm një deputete femër nga PS, Arta Dade, duke u ndjekur edhe në Qarkun e Beratit me Ermonela Velaj. Ndërkaq, në Qarkun e Korçës janë konfirmuar tri deputete femra, Mimi Kodheli dhe Olta Xhaçka nga PS, ndërsa Ledina Aliolli nga PD. Ky lloj rezultati është si detyrim i Kodit Zgjedhor. Ai i detyroi partitë politike që në listën e kandidatëve maksimumi i përfshirjes së gjinisë femërore të arrinte deri në 30%. Çka do të thotë se të paktën kandidati i tretë i listës shumëemërore të partive politike duhej të ishte femër. Megjithëse subjektet politike gjetën makinacione të ndryshme për t‘i shpëtuar këtij detyrimi. Në të shumtën e rasteve, kandidatet femra u përfshinë nga fundi i listës ndaj mundësia e tyre për t‘u konfiguruar u ul. Mospërmbushja e këtij kriteri ishte një prej arsyeve përse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ktheu shumicën e listave të kandidatëve të subjekteve politike. Për të mos bërë ndryshimin e renditjes fillestare, për shkak se duhej të hiqnin një kandidat të gjinisë mashkullore dhe të shtonin një kandidate të gjinisë femërore Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në disa qarqe propozuan më shumë kandidatë nga çfarë prodhon qarku dhe emrat e shtuar nga fundi ishin kandidate femra. Sipas përllogaritjeve, në këtë mënyrë përmbushej detyrimi i përqindjes së listës. Megjithëse, zgjedhjet e 2009 janë një risi për sa i përket këtij aspekti. Në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve në vite është vënë theksi te mundësia që i duhet dhënë gjinisë femërore për t‘u përfaqësuar në Parlament. A.Thomollari

Lista e deputeteve femra

Shkodër

Jozefina Topalli PD

Arenca Trashani PD

Lezhë

Pavlina Hoti PD

Durrës

Albana Vokshi PD

Rudina Seseri PS

Tiranë

Vasilika Hysi PS

Raimonda Bulku PD

Majlinda Bregu PD

Lajla Përnaska PD

Enkelejda Shkreli PS

Elbasan

Adriana Gjoni PD

Valentina Leskaj PS

Shegushe Ligori PS

Fier

Ermelinda Meksi PS

Mesila Doda PD

Gjirokastër

Arta Dade PS

Berat

Ermonela Velaj PS

Vlorë

Luiza Xhuvani PS

Korçë

Ledina Aliolli PD

Mimi Kodheli PS

Olta Xhaçka PS

Totali: 10 PD; 11 PS



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›