E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: 61% e listave nuk zbatuan kriterin që duhej

Raporti paraprak i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 28 qershorit konstatonte se roli i grave në jetën politike mbetet i kufizuar. Nga 140 deputetët e Parlamentit që po u mbaron mandati, vetëm dhjetë ishin gra(7%), përfshirë edhe Kryetaren e Parlamentit. Vëzhguesit thonë se në disa raste, partitë, listat e të cilave duhet të ktheheshin për korrigjime, pasi nuk i përmbushnin kërkesat gjinore, vetëm sa shtuan gra në fund të listës, duke e kaluar numrin e mandateve që mund të fitoheshin në zgjedhje. "Megjithëse KQZ-ja vendosi që lista të tilla ishin në përputhje me kodin, plotësimi i kritereve në atë formë ishte në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e dispozitave ligjore që nxisnin pjesëmarrjen e grave", thonë vëzhguesit. Për këto zgjedhje, konstatohet se 61% e listave u miratuan pa mundësinë e 30 përqindëshit, 19% u miratuan pa mundësinë e tri vendeve të para, ndërsa 43% i përmbushën të dyja kriteret. Listat e tri zonave u regjistruan pa përmbushur asnjërin nga kriteret. Kodi përmban gjithashtu dispozita që sigurojnë si pjesëmarrjen e grave, ashtu edhe të burrave në KZAZ. ODIHR thotë se kushti që çdo gjini të përfaqësohet me të paktën 30% të komisionerëve të emëruar në rang vendi nga partitë më të mëdha të shumicës parlamentare dhe opozitës nuk u respektua nga PS-së deri më 18 qershor. KQZ-ja mësohet se ka informuar Misionin Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it se i pranoi fillimisht anëtarët e emëruar pavarësisht nga ky fakt, për shkak të afatit për ngritjen e KZAZ-ve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›