Tiranë, i deportuari nga Anglia grabit argjendarinë
Etleva Delia
Brenda pak minutave, një 22-vjeçar nga kryeqyteti theu dje një argjendari, grabiti një sasi bizhuterish dhe u largua nga vendi i ngjarjes me xhepat e mbushur me unaza dhe varëse floriri. Ngjarja ndodhi dje në orët e mëngjesit ndërsa policia arrestoi autorin e grabitjes dhjetë minuta pas lajmërimit për ngjarjen. Altin Ndini, një 22-vjeçar, i cili prej pak javësh ishte deportuar nga Anglia pasi u kap atje me dokumente false, rezultoi të jetë autor i grabitjes së një argjendarie në rrugën “Xhorxh Bush” përballë Parlamentit të Shqipërisë në Tiranë. Ngjarja për të cilën akuzohet i riu, ndodhi dje rreth orës 08:30. Grabitësi nuk kishte shkuar shumë larg nga vendi i ngjarjes, kur është ndaluar nga një patrullë policie, që ishte lajmëruar për ngjarjen nga shitësja e argjendarisë ku ndodhi vjedhja. Në momentin e arrestimit, të dyshuarit i janë gjetur rreth 20 varëse floriri dhe 8 unaza, të cilat i janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
GRABITJA
Rreth orës 08:30, kur shitësja sapo kishte hapur argjendarinë dhe po merrej me pastrimin e dyqanit, një i ri është futur brenda me nxitim dhe pa folur asnjë fjalë ka thyer xhamin e banakut. Vajza që ishte e punësuar në argjendarinë në rrugën “Xhorxh Bush”, pranë Komunitetit Mysliman në Tiranë, i ka bërë thirrje që të ndalonte, por ai e ka kërcënuar me thikë. Nga frika shitësja nuk ka lëvizur nga vendi, deri sa ai është larguar. Djali, i cili ka qenë i pa maskuar ka marrë disa varëse dhe unaza që ndodheshin në banakun e dyqanit, i ka futur në xhepa dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Punëtorja menjëherë ka lajmëruar në Komisariatin Nr.1 dhe menjëherë punonjësit e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, me ngjarjen janë marrë edhe oficerët e Seksionit të Vjedhjeve Kundër Biznesit. Vajza u ka treguar efektivave të policisë, se që në momentin kur e ka parë duke hyrë në dyqan, e kishte vënë re se ai nuk ishte klient, por nuk kishte mundur të reagonte, pasi ai kishte me vete një thikë. Ajo ka përshkruar pamjen e jashtme të tij, si dhe u ka treguar edhe drejtimin nga ai ishte larguar me shpejtësi, pasi kishte marrë nga banaku sendet e çmuara, që sipas policisë arrijnë vlerën e 5 milionë lekëve të vjetra. Më pas policët janë vënë në ndjekje të tij dhe brenda 10 minutash ai është ndaluar, duke tentuar të hipte në autobus për të humbur gjurmë. Sipas burimeve nga policia, autori i grabitjes dyshohet se është i arrestuari Altin Ndini, 22 vjeç, i cili para disa javësh ishte deportuar nga Anglia për parregullsi në dokumente. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij i janë gjetur në xhepa varëset dhe unazat e vjedhura në argjendari.