Opozita rikërkon mocion me Berishën për Fazliç
Opozita ka rimarrë çështjen e mocionit për debat me Kryeministrin për çështjen "Fazliç", duke i kërkuar kreut të Kuvendit, futjen e saj sa më shpejt në rendin e ditës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, i kërkoi Kryeministrit Berisha që të flasë për çështjen, pasi ende nuk i është përgjigjur akuzave, ndërkohë që theksoi se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesa e saj për mocion për debat me Kryeministrin. "Ne, u shpreh Braçe, nuk heqim dorë nga mocioni që kemi kërkuar". Për zvarritjen e futjes në rendin e ditës së mocionit, numri dy i grupit të PS-së, ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, sipas tij, ka neglizhuar kërkesën e PS-së, duke shkelur edhe Rregulloren. "Në Parlament, nuk ka ndodhur ajo që parashikon Rregullorja në nenin 98. Berisha na u betua se do të ishte seanca më transparente, por prej asaj dite, Berisha nuk është dukur më, përkundrazi është fshehur. Berisha është shumë i përfshirë në këtë çështje dhe ne e duam në debat. Ai duhet të vijë të tregojë përgjegjësinë e tij", është shprehur Braçe. Por deklaratës së Braçes i është përgjigjur menjëherë Kryetarja Topalli, duke theksuar se "kërkesa e opozitës është marrë në shqyrtim dhe brenda 30-ditësh do të realizohet, gjithçka do të bëhet në respekt të Rregullores". Pas këtij debati në sallën e Kuvendit është shfaqur Kryeministri Berisha. Ai kërkoi që t‘u japë përgjigje akuzave të opozitës, por pa përmendur në asnjë rresht të diskutimit të tij çështjen "Fazliç". Duke vlerësuar si të suksesshme punën e qeverisë, e cila u kurorëzua dhe me ngjarje të mëdha, siç ishte marrja e ftesës për në NATO dhe firmosja e protokollit të anëtarësimit nga SHBA dhe disa shtete të BE-së, Kryeministri akuzoi opozitën se është munduar të bëjë publicitet demaskues për këtë sukses, por që ka rezultuar i pasuksesshëm, duke bërë një rezyme të sukseseve të qeverisë nga 3 prilli e deri më sot. Berisha u shpreh se "unë prisja që ju sot të përshëndesnit dhe të vlerësonit veprimin e SHBA-së, e cila firmosi protokollin për anëtarësimin në NATO, me gjithë problemet që Amerika ka në krizën ekonomike dhe zgjedhjet që priten të zhvillohen atje". Më pas, Kryeministri akuzoi opozitën si "të shkretë", e cila po përpiqet të bëjë politikë, duke përdorur vdekjen e një njeriu si ekzekutim, ndërkohë që doli se ishte vetëm një aksident. Pas akuzave të Berishës, ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetares së grupit të PS-së, Leskaj. Ajo u shpreh se "Partia Socialiste nuk është kundër marrjes së ftesës, pasi PS-ja ndërtoi rezolutën për në NATO". "Opozita, vijoi ajo, ka kontributin e saj në hapat që Shqipëria ka ndjekur për anëtarësim në NATO, por nuk ka faj për aferat korruptive të qeverisë". Leskaj i ka kujtuar Kryeministrit
se diferenca midis tij dhe PS-së është se ai nuk është mësuar me protesta paqësore, por me protesta me arkivole e plumba. "Por dua t‘i kujtoj Kryeministrit se vrasja e shekullit është ‘Gërdeci‘ dhe kjo rëndon mbi shpatullat e tij".
se diferenca midis tij dhe PS-së është se ai nuk është mësuar me protesta paqësore, por me protesta me arkivole e plumba. "Por dua t‘i kujtoj Kryeministrit se vrasja e shekullit është ‘Gërdeci‘ dhe kjo rëndon mbi shpatullat e tij".