Meta, Elbasan premton rikthimin në zonë industriale të Metalurgjikut

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta duke parë gjendjen e mjerueshme të Metalurgjikut të Elbasanit, i cili sipas tij është kthyer në një gërmadhë, ka premtuar se LSI, do ta kthejë këtë zonë në një nga zonat industriale më të rëndësishme, të Shqipërisë. Ne shohim që këtu janë të gjitha mundësitë që për një kohë shumë të shkurtër këto ambiente, përsëri të kthehen në qendra pune, në qendra punësimi.
Nuk e kam fjalën për të rindërtuar një kombinat nga e para, sepse nuk ka asnjë sens, por këto janë mundësi të jashtëzakonshme për të tërhequr një investitor të huaj dhe për të nxitur dhe sipërmarrës vendas në mënyrë që këtë zonë që dikur ishte si qytet më vete, përsëri ne të kemi ambiente të reja ku njerëzit të punojnë, u shpreh kreu i LSI. Lidhur me këtë qëllim Meta ka deklaruar se LSI, ka bërë të qartë një program për të stimuluar biznesin duke zbritur nga tatimet një shumë të caktuar për çdo vend të ri pune, që hapet nga bizneset ekzistuese dhe për të përjashtuar nga tatim përfitimi për tre vitet e ardhshme çdo biznes të ri do të krijohet dhe në varësi me numrin e punëtorëve që do të ketë ne do të krijojmë lehtësira në mënyrë progresive. Gjithashtu, sipas kreut të LSI, ka një program të qartë për punësimin e qytetarëve të Elbasanit dhe qytetarët e gjithë Shqipërisë, sepse nuk mund të dilet nga varfëria, nuk mund të përballohet kjo kosto e lartë e jetesës pa vende të reja pune, pa krijuar mundësia të reja për zhvillimin e biznesit, për aktiviteteve të ndryshme dhe në radhë të parë të atyre aktiviteteve prodhuese. Ne besojmë se dhe me mbështetjen e shtetit dhe në një klimë të re, që do të krijohet për biznesin, mund të kemi në një kohë të shkurtër një fillim të shumë aktiviteteve në këtë zonë, të cilën me të drejtë ne e konsiderojmë si një zonë të mundshme industriale. Pra, si një zonë, ku do të krijohen lehtësira të veçanta në mënyrë, që të kemi një përqendrim biznesesh, por dhe të krijojmë një infrastrukturë të përbashkët për të gjithë bizneset, një infrastrukturë që sot këtyre bizneseve i mungon, ka vijuar ai. Duke u ndalur në disa nga pikat e programit qeverisës të LSI-së, pas zgjedhjeve, Meta veçoi gjithashtu se LSI ka program të qartë dhe për industrinë dhe biznesin e fasonëve. Ne kemi ndërmarrë një program shumë të qartë, në mënyrë që këto ndërmarrje ta vazhdojnë aktivitetin e tyre privat, si dhe të ruajnë të gjithë parametrat e konkurueshmërisë në tregjet jashtë, sepse eksportojmë gati mbi 500 milionë euro në vit, kemi parashikuar të heqim tatim-fitimin për këto biznese deri në Dhjetor të vitit 2010 dhe njëkohësisht të subvencionojmë 50% të sigurimeve shoqërore për çdo të punësuar deri në vitin 2011, nënvizoi Meta, sipas së cilit ky program është tërësisht nxitës, sepse janë 100 mijë të punësuar. Duke përmendur problemet e mëdha me ndotjen që ekzistojnë në këtë rreth, Meta ka theksuar se LSI ka një program të veçantë për mbrojtjen e mjedisit, ku Elbasani hyn në një nga vendet që do të ketë prioritet të veçantë.