E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonia ofron mbështetje të projekteve në Shqipëri

Qeveria japoneze shprehet e gatshme të mbështesë projektet në Shqipëri në fushën e infrastrukturës, turizmit etj. Kjo garanci i është dhënë ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, gjatë takimit me ambasadorin e Japonisë në Shqipëri, Hiroyasu Ando. Ambasadori japonez informoi se po viziton Shqipërinë në kuadër të nënshkrimit të një granti  për "Projektin e përmirësimit të ambientit të Bathores dhe shkollave të qendrës së Bashkisë Kamëz". Ambasadori Ando shprehu gatishmërinë e qeverisë japoneze për të mbështetur Shqipërinë në proceset e demokratizimit e zhvillimit ekonomik e social të vendit. Ministri Basha, pasi vuri në dukje ritmet e larta në marrëdhëniet dypalëshe, vlerësoi jo vetëm mbështetjen e vazhdueshme që qeveria japoneze tregon në zhvillimin e projekteve në Shqipëri, si nëpërmjet granteve dhe huave me terma të buta, por edhe përmes interesimit të investitorëve japonezë në investimet me rëndësi në fushën e energjetikës, minierave etj. Basha siguroi ambasadorin se investitorët japonezë janë të mirëpritur në Shqipëri. Ai e informoi atë se së shpejti do të ftohej  një grup miqsh nga Japonia,  në kuadër të një programi që Ministria e Jashtme po përgatit për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore të vendit tonë me vendet e tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›