LSI: Qeveria të ndërhyjë për të frenuar rritjen e inflacionit
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj rritjes së pandalshme të inflacionit në vend dhe thellimit të varfërisë së shqiptarëve. Filloreta Kodra, nënkryetarja e LSI-së, akuzoi për këtë politikat e dështuara të qeverisë, ndërkohë që kërkoi nga kjo e fundit që të ndërhyjë urgjent për të frenuar rritjen e inflacionit. “Rritja e inflacionit 4,6% brenda një viti rrezikon prishjen e ekuilibrit makroekonomik në vend duke marrë përmasa të cilat kanë dalë jashtë kontrollit të kësaj qeverie. Ky realitet është në kundërshtim të plotë edhe me orientimet e marrëveshjen e nënshkruar me FMN-në. LSI-ja i kërkon qeverisë shqiptare të mos fshihet pas deklaratave për mosndërhyrje në lojën e tregut, por të marri masa për frenimin dhe kontrollin e rritjes së çmimeve, në mënyrë që ekonomia të mos dali jashtë kontrollit. LSI-ja kërkon kompensimin e menjëhershëm të pagave, pensioneve dhe të gjitha të ardhurat që përfitojnë personat në nevojë për shkak të rritjes së inflacionit, pagesa e ndihmës ekonomike, paaftësia, përkujdesit”, - tha nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra.
10 Prill 2008