E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e koalicionit qeveritar, presion Berishës për reformën



Gjashtë parti të vogla parlamentare të koalicionit qeverisës kanë kërkuar nga kryeministri Sali Berisha një shpjegim të plotë mbi situatën politike të krijuar nga debati mbi reformën zgjedhore. Kryetarët e këtyre gjashtë partive, përkatësisht Nard Ndoka i PDK-së, Fatmir Mediu i PR-së, Arian Starova i PBLD-së, Genc Pollo i PDr-së, Lufter Xhuveli i Agrarëve dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, i kanë dërguar një letër kryeministrit Berisha, ku të gjithë kanë firmosur kërkesën për një tryezë politike mes partive të koalicionit qeverisës. Partitë parlamentare të maxhorancës nuk janë pajtuar me qëndrimet e Partisë Demokratike për reformën zgjedhore. Ata në mënyrë të hapur e kanë cilësuar si një gijotinë politike, e cila kërkon të “presë” kokat e partive të vogla. Kryetarët e partive të vogla të maxhorancës kanë kërkuar përgjegjësi në lidhje me këtë proces-reformë, duke kërkuar konsensus politik për sistemin elektoral. Ata kanë kërkuar që të mos minohet përfaqësimi politik në Kuvend. Sipas tyre, me sistemin e ri elektoral që është propozuar nga Partia Socialiste, proporcional rajonal, vihet në dyshim përfaqësimi politik në Kuvend, çka do të ndikonte në prekjen e interesave politikë të shtresave të caktuara të shoqërisë shqiptare, e cila kërkon mbi të gjitha një sistem përfaqësimi sa më efikas në Kuvendin e Shqipërisë. Në letrën e dërguar kryeministrit Berisha, aleatët kërkojnë urgjent një takim politik të nivelit të lartë. Ata do të kërkojnë nga kryeministri Berisha shpjegime për sistemin e ri. Partitë e vogla e kanë cilësuar sistemin proporcional rajonal që po diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, si një sistem që do të krijojë një Dushk të ri zgjedhor.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›