E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektbuxheti i ka kushtuar vëmendje e trajtim edhe krizës globale

Qeveria ka qenë e vëmendshme ndaj diskutimeve, debateve që janë artikuluar nëpërmjet grupeve parlamentare, sidomos të vetë komisioneve dhe të gjitha këto kanë rritur sensibilitetin e qeverisë me e vëmendshme dhe më e kujdesshme në miratimin përfundimtar të buxhetit të shtetit, njëkohësisht dhe në marrjen e masave të plotë në implementimin korrekt dhe në kohë të këtij programi financiar të shtetit për vitin 2009-të. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është një vend i izoluar dhe kriza globale kërkon një vëmendje dhe një trajtim të posaçëm nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare, dhe kjo ka qenë arsyeja që ne në buxhetin e vitit 2009 kemi treguar një këndvështrim tërësisht konservativ dhe tepër të matur, pasi kemi programuar rritjen e të ardhurave të buxhetit me 9.7% krahasuar me vitin 2005, ndërkohë që në mënyrë të përvitshme minimumi vitet e fundit ka qenë 14%, për të mos folur për vitin 2008 ku rritja ka qenë edhe më e madhe, si periudhë 10 mujore 17%, krahasim me një vit më parë.
Kalimi me gjysmë përgjysmë i ritmeve të rritjes i të ardhurave në buxhet reflekton kujdes dhe maturi, çka do të thotë: jo se do të ulim performancën e administratës fiskale në arkëtimin e detyrimeve për buxhetin, por çdo tejkalim, çdo e ardhur e mbledhur më tepër nga ajo që ne kemi programuar do të jetë një mundësi më e madhe për t`i dhënë Parlamentit, qeverisë instrumentet e mjaftueshme për të reaguar në kohën e duhur përballë ndonjë eventualiteti të krizës globale që mund të interferojë në ekonominë shqiptare.
Ecuria e muajve të parë të krizës nuk përfshiu dhe nuk influencoi në mënyrë të dukshme ecurinë ekonomike të vendit, dhe sikurse e keni marrë vesh, nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë shifrat janë optimiste, janë përtej asaj që ne kemi deklaruar, se rritja ekonomike do të jetë të paktën 6% në fund të viti 2008.
Propozimi i parë që bën opozita që buxheti social të rritet dhe kjo shikohet si mundësi për të mbajtur të lartë rritjen e kërkesës konsumatore në treg, është një çështje që edhe pse nga ana e filozofisë programore të programit të qeverisë aktuale, rritja e kontributeve për dimensionet sociale ka qenë një prioritet i qeverisë, dhe mund t`ju them se në tre vjet është mundësuar ajo që u denatyrua në qeverisjen socialiste. E kanë filluar në vitin 2000 me buxhet social në raport me GDP-në diku tek 8.5% e prodhimit të brendshëm bruto dhe ka përfunduar në 2004-ën me 6.7% të prodhimit të brendshëm bruto, kostoja, fatura sociale e buxhetit në qeverinë e mëparshme. Tashmë në buxhetin e vitit 2009-të shkojmë në 9.1% të prodhimit të brendshëm bruto. Unë mendoj se kjo është një rritje e qenësishme e faturës sociale dhe Shqipëria nuk mundet të pretendoi që të shkojë në fatura sociale të papërballueshme, të krahasueshme këto me vendet perëndimore, por po ju them se jemi mbi mesataren e vendeve të rajonit, e cila është 8.7% në vitin 2008 si faturë sociale.
Kemi deklaruar se në vitin 2009 do të kemi një rritje të nivelit të pagave dhe pensioneve në të njëjtin trend dhe më të lartë në krahasim me vitin 2008. Jo vetëm kaq, por fakti që rritja fillon jo nga 1 korriku por nga 1 maji do të thotë që ne rrisim faturën shtesë sociale për pagat, për pensionet, për ndihma, për të gjitha llojet e paaftësisë që paguhen nga buxheti i shtetit dy muaj përpara, kjo do të thotë së për vitin 2009 ne do të kemi 1/6 e efekteve më të larta nga një vit normal, sepse fatura dhe shuma e konsumuar do të jetë të paktën 15 % më e lartë në krahasim me vitin 2008, dhe të rrisësh faturën sociale në një vit 15% deri 20% nuk është rritje e vogël, por është rritje e qenësishme dhe shumë e madhe, sepse është përtej rritjes ekonomike nominale, është dy herë më tej rritjes ekonomike nominale, kur niveli i inflacionit është i ulët.
Së dyti, unë e konsideroj me vend propozimin e grupit parlamentar të PS-së për të intensifikuar investimet publike dhe për të përfunduar investimet e nisura, dhe ato që do të nisin në mënyrë të menjëhershme, çka do të thotë se gjithë programi i investimeve publike në infrastrukturën rrugore nga ana e qeverisë është parashikuar që të realizohet në harkun e 6 muajve të parë të vitit 2009-të, dhe kjo nuk është një deklaratë boshe, por është një punë e përgatitur, të gjithë tenderat e rrugëve që do të ketë Ministria e Punëve Publike janë çelur, dhe për këtë mund të merrni informacion të mjaftueshëm pranë kësaj ministrie. Ajo listë objektesh që shoqëron buxhetin tashmë është ose e tenderuar ose në proces tenderimi, çka do të thotë se brenda muajit dhjetor të gjitha kontratat e investimeve për infrastrukturën rrugore do të jenë të lidhura dhe kjo përbën vëllimin kryesor 80% të vëllimit të investimeve publike në Shqipëri që është përfshirë në buxhetin e vitit 2009-të.
Së treti kemi një vëllim që vjen në të njëjtin propozim që bën grupi parlamentar i PS-së me buxhetin lokal, kemi një dyfishim të vëllimit të investimeve lokale, pranë komunave dhe bashkive, do të jenë 10 miliard lekë të reja për vitin 2009-të që do të jenë investime lokale të dhëna me grande konkurruese, veç mundësive që do të kenë bashkitë dhe komunat që me grandet e pakushtëzuara të shtojnë vëllimin e investimeve publike pranë territoreve të tyre, dhe do t`u bëja thirrje si Ministër i Financave të mbështesin programet e investimeve publike me grandin konkurrues që u kemi dhënë dhe të mbajnë pak dorën në atë përdorim jo efiçent të fondeve të tyre, përveç shtimit të numrit të administratës, përveç shpenzimeve jo të arsyeshme që ata bëjnë, ndaj do t`u kërkoja të jenë më të përgjegjshëm në vitin 2009-të. E pra edhe këto 10 miliard lekë të reja që do të jenë investime lokale pranë komunave dhe bashkive kanë filluar tërësisht procesin e tenderimit.
Brenda 3 apo 4 ditëve do të çelim fondet për të gjithë vlerën e investimeve që do të bëjnë komunat në infrastrukturën rrugore, dhe për vitin 2009-të deri në muajin maj ne kemi programuar që rreth 7.5 miliard lekë të reja do të investohen në infrastrukturën rrugore të komunave dhe bashkive , çka do të thotë se mbajmë një nivel të lartë konsumi në tregun tonë të brendshëm, pra kemi dyfishuar, rritur grandet e buxhetit vendor. Në qoftë se vitin e kaluar ka qenë gjithsej 3.5 miliard lekë grante konkuruese për pushtetin vendor, këtë vit kanë 10 miliard. Në qoftë se për rrugët vitin e kaluar ishin 1.7 miliard lekë, këtë vit janë plot 5.5 miliard lekë për ti avancuar në investimet publike vendore. Furnizimi me energji përbën një shqetësim të qeverisë ndaj që tani kemi marrë masa që deri në fund të muajit janar të vitit 2009 të kemi të prokuruara tërësisht blerjet dhe importet e energjisë. Ministria e Financave do të emetojë përmes një vendimi qeverie, do të sjellë në Parlament një akt normativ i cili i akordon Korporatës Energjetike rreth 4 miliard lekë të reja pikërisht për të përmirësuar gjendjen financiare dhe për të rritur kapacitetet e tyre për të blerë energji elektrike, ndërkohë që qeveria i ka dhënë garanci nga limitet e saj për kredi tregtare Korporatës Energjetike edhe 40 milion euro të tjera, pra do të jenë mbi 8 miliard lekë që do të mbështesin përmirësimin e situatës financiare të Korporatës Energjetike shqiptare që energjia të mos mungoi.
Për vitin 2009-të ne kemi programuar arkëtimin e parave nga privatizimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, shumë e cila do të vihet në dispozicion të përmirësimit të situatës financiare të KESH-it. Ne kemi pritur me kënaqësi një propozim nga deputeti Leskaj që i cili thotë që nga privatizimet 10 % të shkoj për shpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe 10% për kompensimin e ish pronarëve, çka do të thotë një mundësi më të madhe për të emetuar rreth grupeve të caktuara sociale një faturë ekstra e cila do të ndihmojë në rritjen e kërkesës konsumatore në treg. Paratë për rrugën Durrës-Kukës i kemi në buxhet, të alokuara brenda tavanit në limitin që ju vendosni sot dhe do ta miratoni, për të shpenzuar për vitin 2009.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›