Braçe interpelancë me Berishën, prag incidenti për foltoren
Koncesionet dhe privatizimi i pasurive kombëtare, sidomos ato që kanë të bëjnë me zonat minerare, naftëmbajtëse apo në teknologji, janë bërë objekt i një debati të drejtpërdrejtë mes kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit socialistë Erion Braçe, ku natyrisht nuk kanë munguar akuzat e ndërsjella, si dhe incidentet. Duke respektuar rregullat e interpelancës, i pari që ka folur ka qenë deputeti Erion Braçe, si kërkues i këtij debati duke renditur një sërë çështjesh në të cilat, sipas tij, qeveria po privatizon dhe po jep me koncesion çdo pasuri të shqiptarëve, duke mos marrë parasysh interesat e tyre, por interesat e ngushta të një grushti njerëzish pranë saj. “Dhënia me koncesion e pronës publike ka njohur një dimension të pamatë. Nga shfrytëzimi i pasurive kombëtare, ajo përfshin së fundi deri shërbimet publike, të cilat në shumicën e vendeve janë monopol i shtetit. Një përmasë e tillë zbuloi gjatë vitit që shkoi dhjetëra praktika korruptive, ku ishin përfshirë ministra, deputetë, familjarë e klientë të tyre”, - tha Erion Braçe. Por këtyre pretendimeve kryeministri Berisha u është përgjigjur se qeveria ka vendosur të zbatojë çdo kontratë të lidhur me këto kompani edhe pse nuk i ka firmosur vetë ato, por qeveritë pararendëse. “Ne kemi vendosur kontrata, pavarësisht kush i ka firmosur para nesh dhe kemi pasur vërejtje, ne kemi paguar dhe borxhe të Ramiz Alisë dhe Enver Hoxhës. Ju që kërkoni të grisim kontrata se i keni firmosur ju, ne s’e bëjmë dot, se ligji tregtar ka të bëjë me të drejtat civile dhe për këtë arsye tregtarët kanë një të drejtë kushtetuese. I merrni ju kontratat dhe dërgojini ku të doni, padisni veten tuaj. Krijoni komision dhe analizoni një nga një, por konsultoni ato me ligjet, ku janë shkelur”,- theksoi kryeministri Berisha. Por një argument i tillë për kërkuesin e interpelancës Erion Braçe nuk qëndron pasi, sipas tij, ai që ka nënshkruar kontrata të tilla ka qenë vetëm Ilir Meta kur ishte kryeministër socialist. “Gjithçka çfarë fola janë letra të qeverisë suaj. Ju përmenda socialistin e vetëm që është ish-kryeministri Meta, ai ka firmosur për këto kontrata, atë e ke në koalicion”,- deklaroi Braçe, duke i bërë thirrje qeverisë që të tregohet e kujdesshme në këtë veprimtari që ka të bëj me pasuritë e shqiptarëve, pasi me vendimmarrjen e saj ka në dorë të ardhmen e shqiptarëve. Gjithashtu Braçe duke iu referuar aktiviteteve të ndryshme si ato në miniera, në hidrokarbure dhe kryesisht për zonat naftëmbajtëse, ka evidentuar se kompanitë që ushtrojnë bizneset e tyre në këto fusha jo vetëm shfrytëzojnë pasuritë natyrore të shqiptarëve, por në shumë raste i janë shmangur edhe pagimit të tatim-fitimit. Këto deklarata kanë detyruar kryeministrin Berisha që të reagojë sërish, por kësaj here për pak sa nuk ka shkaktuar edhe një incident me deputetin Braçe. Ndërsa Braçes i ka mbaruar koha e përcaktuar dhe teknika i kishte hequr zërin nga mikrofoni, ai ka vijuar të flasë duke mbajtur të bllokuar podiumin, ndërkohë që Topalli i dha fjalën sërish Berishës. Në këtë moment Berisha ka lënë vendin e tij dhe i është drejtuar foltores ku vazhdonte të qëndronte ende deputeti Braçe, i cili fliste pa mikrofon. Berisha ka zënë foltoren duke spostuar Braçen, i cili ka refuzuar të largohet, duke kërkuar të marrë më parë të gjitha dokumentet që kishte përpara gjatë fjalimit të tij. Kaq ka mjaftuar që në sallë të shpërthejnë të qeshurat, ndërsa deputetët e majtë kanë duartrokitur gjatë deputetin Braçe për gjithë fjalën e tij. Ndërkohë Kryeministri edhe një herë duke mos iu përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzave të ngritura nga Braçe, ka preferuar të flasë politikisht duke theksuar se partia dhe mazhoranca që ai drejton i bëri shqiptarët pronarë të pasurive të tyre. “Bini burive sa të doni që qeveria është problemi, Berisha do pohojë dhe do bëjë gjithçka që t’i japë zgjidhje problemit, se janë këto zgjidhje që do i japin Berishës fitore plebeshitare. Nuk i mbyllni dot të vërtetat me zhurmë, modeli juaj ekonomik janë mëlçitë në qafë të Anastasit, mbajini për vete. Mëlçitë në qafën e Cacit do t’u çojnë drejt të shkuarës më të lartë”, - tha Berisha.