Kuvendi miraton ligjin “Për organizimin e Agjencisë së Shqipërisë Civile”

TIRANE - Kuvendi miratoi dje në mbrëmje me shumicë votash ligjin për “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC)”, që synon të kontrollojë mënyrën e përdorimit nga OJF-të, të fondeve që do të jepen nga kjo Agjenci në formën e grandeve.
Ligji i ri parashikon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma civile në interes të publikut. AMSHC do të jetë enti publik që zbaton procedurat për shpërndarjen e fondeve në mbështetje të shoqërisë civile.
Kjo Agjenci udhëhiqet nga përparësitë strategjike të qeverisë për zhvillimin e shoqërisë civile. Në përbërje të saj janë 9 anëtarë, nga të cilët 5 anëtarë përfaqësojnë organizatat e shoqërisë civile dhe 4 anëtarë përfaqësojnë institucionet e administratës publike qendrore.
AMSHC-ja do të mbështesë dhe asistojë nisma dhe veprimtari me karakter jofitimprurës të organizatave të shoqërisë civile që janë aktive gjatë vitit fiskal në vijim, me përjashtim të partive e organizatave politike, sindikatave, institucioneve fetare.
Opozita e mbështeti ngritjen e kësaj Agjencie, duke e vlerësuar si të rëndësishme për t’i prerë rrugën klientelizmit. Në punimet e seancës së djeshme u miratua gjithashtu dhe ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara, ‘Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave’”.