Topalli: Ina Rama po mbyll pa përgjegjës, dosjen e tragjedisë së 9 janarit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli akuzon Prokurorinë se po kërkon të mbyllë dosjen për përgjegjësit e tragjedisë së Karaburunit, pa vënë asnjërin prej tyre para bankës së të akuzuarve
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme, po planifikon dita-ditës që përfundimisht të mbyllë hetimet e tragjedisë së rëndë të 9 janarit 2004. Plot 5 vite nga ditë e ftohtë dimri që u mori jetën 28 shqiptarëve, në përpjekje për të kaluar në brigjet e shtetit fqinj, Itali, të diskriminuar nga të githë aspektet, nga qeveria e atëhershme socialiste, përfunduan në ujërat e ftohta të detit, ndonëse përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie vazhdojnë të bëjnë jetë mondane, nëpër hotele me 5 yje apo nëpër resortet më të mëdha të turizmit botëror, ku nuk mungojnë edhe pushuesit që zgërdhihen jahteve, por që në fund të fundit, gjejnë strehëzën e politikës.
Sigurisht, me një organ akuze të kapur dhe të influencuar nga segmente të rëndomta mafioze-politike, kryesisht nga qarqet e së majtës, Prokuroria e Përgjithshme, në mënyrë abuzive dhe duke mos zbardhur të vërtetën e njëherazi duke mos bërë përgjegjës askënd, po mbyll hetimet, ndonëse dhjetëra familje bëjnë thirrje për drejtësi.
Lidhur me këto zhvillime absurde dhe që venë në dyshim funksionimin e shtetit ligjor apo edhe respektimin e parimeve demokratike, për një vend me një demokraci të pjekur dhe të konsoliduar, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, reagoi dje ndaj përpjekjeve të organit të akuzës.
“Prokuroria nuk mund të mbyllë dosjen e 9 janarit. Dosje kaq të rëndësishme nuk mund të mbyllen. Dosje kaq të rënda nuk duhet të mbyllen asnjëherë. Mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2004, 28 persona humbën jetën ndërsa tentonin të shkonin drejt Italisë me gomone, por përgjegjësit kryesorë të kësaj ngjarjeje të rëndë nuk janë përballë drejtësisë”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kjo tragjedi, mbetet një nga çështje shumë e rëndë dhe si një sfidë për organet e drejtësisë në vend. Dhe për këtë, Partia Demokratike, parti në pushtet, ka akuzuar vazhdimisht qeverinë socialiste, si përgjegjëse për këtë ngjarje të rëndë dhe të dhembshme.
L.Q