Së shpejti Dhërmiu do ketë skulpturën e Petro Markos
Figura e njohur e letërsisë dhe kulturës shqiptare, Petro Marko do të gdhendet së shpejti në një skulpturë, e cila do të vendoset në fshatin e lindjes, në Dhërmi. Skulptori Agim Rada do të jetë autori, pas shpalljes fitues i konkursit, organizuar për këtë qëllim nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve, (GKA). Skulptura e bustit të Petro Markos që do të realizohet në bronx, do të jetë një shprehje artistike me qëllim, përjetësimin e figurës dhe personalitetit të tij psikologjik, bënë të ditur burimet zyrtare të GKA-së. Realizimi i plotë i skulpturës do të bëhet në një fazë të dytë pas preventivit të bërë nga Qëndra e Realizimit të Veprave Artistike, mundësuar nga Ministria e Kulturës. Në konkursin për skulpturën e Petro Markos morën pjesë shumë artistë dhe arkitektë shqiptarë, të cilët punuan individualisht, por dhe në grup për bocetet e tyre në përmasat 90-100 cm të larta. Komisioni përzgjedhës kryesohej nga Eleni Gjovreku, me anëtarë: Rubens Shima, Gazmend Leka, Buron Kaceli dhe Maksim Bushi, i ngritur sipas një urdhri të MTKRS Nr.820 të datës 06.08.2008. Konkursi nisi në ditët e para të muajit dhjetor 2008, ndërsa pranimet e boceteve u mbyllën në shkurt 2009.
...