E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton me 71 vota legalizimet me bono privatizimi

 

Me 71 vota pro të maxhorancës parlamentare, Kuvendi i ka çelur dritën jeshile legalizimit të banesave informale me anë të bonove të privatizimit deri në 50 për qind të vlerës totale. Në bazë të këtij ndryshimi, banorëve të këtyre zonave iu jepet e drejta për të blerë shtëpitë e tyre me gjysmën e vlerës. Projekti synon përshpejtimin e procesit të legalizimit nëpërmjet shtimit të disa dispozitave të reja ligjore. Në të është parashikuar që në procesin e legalizimit të mund të përdoren për pagesa bonot e privatizimit. Ndërsa pagesa e taksave, tatimeve dhe e detyrimeve të tjera financiare do të bëhet vetëm në lekë. Ligji ka efekt prapaveprues, pasi personat që nuk kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve të tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij drafti, mund të përfitojnë nga e drejta me pagesë me bono privatizimi dhe e drejta e përfitimit është 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e cilësoi si shumë të rëndësishëm një ndryshim të tillë, duke theksuar se kjo do të ndikojë në koston financiare të këtyre banorëve. “Ne bëjmë një kontribut të çmuar si qeveri, ku 100 për qind e vlerës së truallit të privatizuar nuk shkon në njësitë e qeverisjes vendore, por shkon në arkën e AKKP-së, për kompensimin financiar të ish-pronarëve”, theksoi Bode. Kuvendi në të njëjtën kohë miratoi po me 71 vota ligjin “Për profesionet e rregulluara”. Sipas ligjit, profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë: profesioni i mjekut, i mjekut të specializuar, dentistit, dentistit të specializuar, farmacistit, infermierit, mamisë, veterinerit, arkitektit, inxhinierit. Komisionet kishin propozuar që provimi shtetëror të jetë në dy forma dixhital dhe me forma të tjera. Por kryeministri Berisha e kontestoi një praktikë të tillë, duke kërkuar që provimi final shtetëror të jetë dixhital. “Provimi dixhital i jep fund korrupsionit, kjo ka qenë arsyeja që ne kemi vendosur një gjë të tillë. Është një formë e transparencës që synon shmangien e korrupsionit”, theksoi Berisha. Ky qëndrim bëri që të sanksionohet një gjë e tillë sipas variantit të qeverisë. Sipas relacionit shoqërues të ligjit, personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›