E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pakti me Greqinë”Berisha: Do presim Kushtetuesen

 

Kryeministri Sali Berisha sqaron deputetët e grupit parlamentar të PD-së për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, e cila është kontestuar nga opozita. Duke folur në pjesën me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, pak orë para nisjes së seancës së Kuvendit, kreu i qeverisë është shprehur se marrëveshja i përmbahet Konventës së Detit dhe është negociuar sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare. Duke iu referuar faktit se PS-ja së bashku me disa forca të tjera politike e ka dërguar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, Berisha theksoi se do të pritet vendimi i saj përpara se ajo të miratohet. “Gjatë kohës së miratimit të marrëveshjes me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar, ne nuk dolëm në media, sepse menduam se ishte një çështje teknike, por tani u pa e arsyeshme që ta bënim këtë. Opozita e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi të vendosur të presim vendimin e saj. Nuk ka arsye që ta rrëzojë, sepse kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që nuk e kundërshton askush. Në të tilla raste janë të sanksionuara rregullat”, u shpreh Berisha. Prej një jave negociatorët e marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar janë përballur publikisht me kolonelin në rezervë, Myslim Pasha, lidhur me disa pretendime të këtij të fundit për përfitim të sipërfaqeve të mëdha ujore nga pala greke. Teknicienët e qeverisë kanë argumentuar se Shqipëria nuk ka humbur sipërfaqe nga Gjiri i Sarandës, shkëmbi Barketa, ishulli i Othonit, apo marrja e Greqisë si një shtet arkipelag, pretendime këto të ngritura nga kolonel Pasha. Për të bërë transparencën e kësaj marrëveshje, Parlamenti vendosi pak ditë më parë të shtyjë ratifikimin e saj deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit e mbledhur dje pasdreke nuk e ka përfshirë në axhendën e saj marrëveshjen e ndarjes së kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit të datës 22 tetor-12 nëntor nuk është parashikuar votimi në seancën parlamentare të kësaj marrëveshje, madje as shqyrtimi i saj nga komisionet parlamentare. Kështu në seancat parlamentare 29 tetor, 5 dhe 12 nëntor nuk është përfshirë për votim. Në seancën e mbrëmshme parlamentare jashtë rendit të ditës deputetët Osman Metalla dhe Mesila Doda kanë kontestuar qëndrimet e opozitës për marrëveshjen, të cilët e kanë dërguar për shqyrtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli theksoi se në rendin e punës së komisioneve parlamentare  do të jetë shqyrtimi i progres-raportit të KE-së, sipas fushave përkatëse. Çdo komision është i detyruar të shqyrtojë progres-raportin e Komisionit Evropian për ecurinë e Shqipërisë gjatë vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›