E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej 30 minutave të orës 20

Djana Kalaja* 

Ka një grup ngjarjesh të ditëve të fundit që duket sikur janë të lidhura vetëm me 30 minuta program që RTSH transmeton në orën 16:00 apo 20:00. G99 organizoi një protestë përpara RTSH për të kërkuar me të drejtë pasqyrimin më të gjerë të jetës së përditshme në vend; progres-raporti i BE shpreh se, “Transmetuesi publik nuk ka garantuar  plotësisht kohë të barabartë për të gjitha partitë politike”... dhe se “Reforma në transmetuesin publik është në vendnumëro”;  “Reporterët pa Kufi vlerësuan shkallën e lirisë së medias në Shqipëri. Dhe menjëherë pas tyre G99 organizon një tryezë të rrumbullakët me shumë analistë për të diskutuar për RTSH.
Në të vërtetë është me keqardhje konstatimi se edhe vetë opozita kujtohet për RTSH vetëm në prag të fushatave elektorale apo fill pas tyre. As raportimet periodike vjetore që Këshilli Drejtues i RTSH bën në Parlament nuk kanë audiencën e më shumë e 30 parlamentarëve. Si një transmetues publik, RTSH duhet të jetë në shërbim të publikut gjatë të gjithë vitit dhe jo me fushata. Dhe, për rrjedhojë, kërkesa dhe mbështetja ndaj tij për programe të mira, kulturore, edukative dhe informacione të balancuara duhet të jetë gjithëvjetore.
Krahasuar jo shumë larg, por me vitin 2006, kur RTSH transmetonte materiale arkivi më tepër se gjysmën e programit të saj, sot RTSH transmeton prodhime të vetat, reportazhe apo programe në studio, transmeton shumë më tepër aktivitete sportive për të cilat ka hapur edhe një kanal të dytë. Natyrisht të gjitha këto duhen shtuar dhe pasuruar më tepër nga ana cilësore se sa në minutazh. 
Por përtej të gjitha këtyre ngjarjeve ka një gjë që është e rëndësishme, Radio Televizioni Shqiptar ka nevojë për një reformë, e cila duhet të përfshijë shumë më gjerë se sa 30 minutat e orës 20:00. Në vitin 2007, në një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe krejt të veçantë me EBU, Bashkimin e Transmetuesve Radio Televizive të Europës, u hartua një plan strategjik për një periudhë 3-vjeçare deri në 2010. Si pjesëtare e rëndësishme në hartimin e kësaj strategjie, njoha tendencat e zhvillimit të transmetuesve publikë në Europë dhe nevojën e përshtatjes së legjislacionit tonë në përputhje me atë të Bashkimit Europian, drejt të cilit edhe RTSH synon të arrijë. Ky plan u prezantua tek të gjithë aktorët kryesorë politikë të vendit dhe të huaj, dhe megjithatë mbeti një dokument i pazbatuar, pa u thelluar realisht mbi të si nga pozita, ashtu edhe nga opozita, e cila kryesonte edhe Komisionin parlamentar të Medias në ato vite. Shtylla kryesore e tij ishte krijimi gradual i një pavarësie ekonomike të Radio Televizionit Shqiptar nëpërmjet taksës së aparatit që paguhej nga popullsia. Ekspertët ligjorë nga EBU përpunuan dhe hartuan reformime në ligjin nr. 8410 “Për Radio Televizionin Publik dhe Privat”, të cilat iu paraqitën edhe Komisionit parlamentar të Medias për aprovim. Nëpërmjet një rritje graduale të kësaj takse dhe natyrisht mirë-menaxhimit të burimeve financiare nga vetë RTSH, do të krijohej fuqizimi institucional i Radio Televizionit Shqiptar. Kjo taksë është në Europë burimi kryesor i financimit të transmetuesit publik. Nuk do të bëj krahasimin e vlerës së kësaj takse me atë që një qytetar i Gjermanisë, Holandës apo Suedisë paguan. Por kjo taksë edhe në Kosovë apo në Mal të Zi është më e lartë krahasuar me më pak se 5 euro në vit që qytetarët shqiptarë paguajnë.
Personalisht do të kisha preferuar që presioni, apo më mirë vëmendja e analistëve të ishte e pandërprerë ndaj RTSH dhe kjo pikërisht në emër të rilindjes së RTSH, përfaqësimit në programet e tij të të gjithë jetës së vendit dhe jo thjesht balancimit apo kohës të barabartë sasiore të përfaqësimit të partive politike në ato 30 minuta lajme. Duke e parë institucionin nga brenda tij, mendoj që Radio Televizioni Shqiptar duhet të reformohet në të gjithë sektorët e tij, në programacion, informacion, në kapacitetet njerëzore që ai ka. Pikërisht kjo e fundit është një ndër ato pasoja që RTSH paguan ndër vite për ato Këshilla Drejtuese, Borde apo Drejtorë, që nuk menduan të reformonin, rigjeneronin dhe trajnonin stafin e këtij institucioni, i cili u përzgjodh dhe u tërhoq nga televizionet private. Debati për reformimin e RTSH duhet të përmbajë edhe mendimin alternativ të brendshëm për menaxhim programor e financiar të institucionit. Sot RTSH ndodhet në mes të përplasjes së interesave të kundërta, që nga njëra anë kanë televizionet private për të mos patur konkurrencë nga një “media e madhe”, e cila të paktën me sinjal mbulon shumë më tepër se ata dhe nga ana tjetër nevojës që duhet t’i plotësohet publikut për të pasqyruar sa më mirë interesat e tij. E gjithë reforma që duhet të bëhet në RTSH, duhet ta ndërtojë atë si një institucion, i cili do të jetë i pavarur nga dëshirat subjektive të cilitdo drejtues që do të vihet në krye të tij dhe do të sigurojë edhe balancën e minutave brenda edicionit tëe lajmeve apo jashtë tij, që aq shumë shqetëson analistë dhe parti politike.
Duke u nisur edhe nga eksperienca e fituar nga kontaktet e vazhdueshme me EBU si institucioni që përmbledh të gjithë transmetuesit publikë në Europë, mendoj se idetë analitike për mënyra reformimi të RTSH nëpërmjet ndryshimit të emrit, vendit, ndryshimit të godinës, mbylljes sipas terapisë së shokut apo privatizimit nuk janë realisht rruga e reformimit të RTSH. Ato tregojnë se përtej debateve, pak është kuptuar roli dhe nevoja e një transmetuesi të vërtetë publik në mbrojtje të interesave të publikut. Fushatat kalojnë shpejt, por rezultatet e qëndrueshme duan punë dhe mbështetje. 
*Nëndrejtore e Përgjithshme e RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›