Privatizimi i ARMO-s, skandal me pagesat fiktive, “Credins” e përfshirë
Në një konferencë shtypi të para një muaji, Rezart Taçi dhe Neritan Alibali deklaruan për opinionin publik se konsorciumi i Taçit, “AMRA Oil” i kishte paguar shtetit shqiptar 128 milionë euro, çka sipas Taçit shprehte potencialin financiar të konsorciumit. Është skandaloz fakti se, ndërsa qeveria i deklaron popullit të vet se paratë e privatizimit të ARMO-s u arkëtuan nga shteti, në buxhetin e shtetit nuk është derdhur asgjë.
Sipas procedurave ligjore dhe bankare, paratë e privatizimeve që depozitohen në valutë të huaj në Bankën e Shqipërisë, në mënyrë të menjëhershme, sipas kursit ditor, konvertohen në lekë shqiptare për t’u reflektuar si të hyra në buxhet në Thesarin e Shtetit që administrohet nga Ministria e Financave në kuadrin e programit të buxhetit të miratuar nga parlamenti.
Sipas konfirmimit të Ministrisë së Ekonomisë, “Taçi Oil” e ka paguar tërë shumën e privatizimit të ARMO-s përmes bankave dhe shumave të mëposhtme (Tabela 1):
Ndërkohë që Taçi dhe Alibali kanë konfirmuar kryerjen e pagesave të mësipërme para datës 27 nëntor 2008, në fakt asnjë euro nuk ka kaluar për 11-mujorin në buxhetin e shtetit, gjë e cila konfirmohet edhe nga dokumentet zyrtare të shpërndara nga Ministria e Financave. Kjo tregon se qeveria ka mashtruar me arkëtimin e parave, duke kryer veprën penale të radhës në procesin skandaloz të privatizimit të ARMO-s. Sipas legjislacionit shqiptar, për rastin konkret, pagesa quhet e kryer vetëm kur kalojnë paratë në buxhetin e shtetit, dhe jo duke i trajtuar nëpër llogari bankare jotransparente, për të cilat nuk dihet, nëse i përkasin shtetit, Taçit, apo ndonjë qeveritari të lartë. Paratë e përfituara nga privatizimi i aseteve publike janë pronë e shtetit dhe popullit shqiptar, dhe mekanizmi i vetëm ligjor i administrimit dhe shpërndarjes së tyre është buxheti i shtetit.
Edhe po ta supozojmë se paratë janë paguar vërtet, rezulton se qeveria u ka hapur rrugën skandaleve akoma më të rënda se shitja e ARMO-s me pagesa fiktive. Rezulton se 36 milionë euro janë paguar nga Raiffeisen Bank, kurse një bankë fare e vogël si Credins Bank, kapitali i së cilës nuk i kalon 10 milionë eurot, ka bërë transferta të tilla marramendëse prej 86 milionë eurosh. Banka e Shqipërisë, por në radhë të parë organet e specializuara të parandalimit të pastrimit të parave, duhet të kishin dhënë alarmin për këto pagesa dhe të nisnin investigimin se cila ishte natyra e këtyre transfertave të dyshimta, cili është burimi i këtyre fondeve, dhe të sqaronin faktin, nëse këto transferta, janë pará të justifikuara nga llogaritë dhe bilancet e kompanisë fituese apo janë riciklim i parave të pista përmes bankave të dyshimta apo pagesa fiktive në letra, apo garanci false, siç ishte garancia bankare false prej 25 milionë eurosh e lëshuar nga Raiffeisen Bank.
Akti normativ që qeveria kaloi pardje në parlament nuk përfshinte paratë e përfituara nga shitja e ARMO-s, duke vulosur përfundimisht mospërfshirjen e tyre në buxhetin e këtij viti, ndërkohë që qeveria nuk i ka përfshirë as në buxhetin e vitit të ardhshëm, por ka gjetur një zgjidhje antikushtetuese, gjoja duke i mbajtur paratë e privatizimit të ARMO-s si të ardhura ekstra-buxhetore si “rezervë për përballimin e krizës”, çka tregon më së miri se paratë nuk janë paguar.
Veprimi i mospërfshirjes së parave të privatizimit në buxhet është në kundërshtim me ligjin e buxhetit dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Mungesa e plotë e transparencës mbi gjoja pagesën e Taçit për blerjen e ARMO-s është epilogu i një procesi të tërë të dyshimtë, korruptiv e skandaloz të qeverisë shqiptare për privatizimin e ARMO-s, duke filluar që nga përzgjedhja e firmës konsulente, përshtatja e vendimeve të qeverisë sipas interesave mafioze, organizimi i një procesi tenderimi farsë, operimi me dokumente false, shmangia e fazës së parakualifikimit, përdorimi i garancive dhe pagesave false, si dhe blerja e mediave, e studios ligjore të familjes kryeministrore dhe të vetë kryeministrit.
Krejt procesi i privatizimit qe një mashtrim i madh, i thurur me një përkujdesje të veçantë, në mënyrë që të garantonte grabitjen e ARMO-s nga një klan i dyshimte “pluralist” pozitë-opozitë, aleancë kjo e domosdoshme për studion ligjore kryeministrore për ta miratuar pa probleme në parlament produktin e saj kriminal.
Kushdo që ka pak haber nga procedurat e një tenderi publik ka mbetur i çuditur se përse në rastin e privatizimit të ARMO-s nuk u zbatua procedura standarde e zhvillimit të tenderit në dy faza, ku në fazën e parë ofertuesit “skanohen” dhe kontrollohen nga ana teknike dhe vetëm kompanitë që plotësojnë kriteret tekniko-profesionale konkurrojnë në fazën e dytë të vlerësimit të ofertës financiare.
Kemi argumentuar gjerësisht se konsorciumi favorit i qeverisë duhej të ishte përjashtuar nga tenderi që në fazën e parë të verifikimit të kritereve tekniko-profesionale (në fazën e parakualifikimit), për vetë faktin se konsorciumi qe një sajesë e dyshimtë dhe fantazmë, së cilës i mungonte investitori strategjik, eksperienca profesionale dhe aftësia financiare për të blerë kompaninë ARMO, ndërsa për kapacitetin investues për modernizimin e dy rafinerive në Fier e Ballsh nga ana e blerësit fantazmë as që bëhej fjalë.
Rasti i korrupsionit skandaloz me privatizimin e ARMO-s i ka kaluar caqet kombëtare, dhe është bërë tani objekt i investigimit dhe gjykimit të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë. Përveç duetit Ruli-Alibali që janë paditur penalisht në prokurorinë e Tiranës, pritet që qeveria shqiptare të përballet me një padi civile ndërkombëtare në Tribunalin e Parisit për një dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh.