Kuvendi miraton shlyerjen e 50 mln USD borxhe ndaj ndërtuesve
Akti normativ i qeverisë, që synon rialokimin e 5 miliardë lekëve të buxhetit 2010, ka marrë dje miratimin e Kuvendit të Shqipërisë me 73 vota pro. Akti i qeverisë kaloi pa asnjë debat rreth natyrës së përdorimit të tepricave buxhetore të vitit 2010, të cilat tashmë kanë fuqi ligjore të plotë për përdorim, sipas përcaktimeve të reja të qeverisë. Kështu, sipas këtij akti normativ, një shumë prej 5 mld lekësh do t’u kthehet ndërtuesve të veprave publike. Këto fonde nuk ishin realizuar në disa projekte të tjera, të parashikuara nga qeveria. Kjo shumë do të shërbejë për pagesën e faturave të prapambetura për veprat publike, që kanë ndërtuar kompanitë e ndryshme që operojnë në vend. Duke iu referuar Projektit Akt Normativ, investimet me financim të brendshëm rriten me rreth 5 miliardë lekë, të cilat do të alokohen për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, në programin “Rrjeti i Rrugëve Nacionale”. Këto fonde shtesë akordohen si pasojë e realizimit në masën 99% të fondeve të investimeve, me financim të brendshëm në këtë program dhe avancimit të punimeve në disa projekte në vazhdim, përtej parashikimeve për këtë periudhë. Gjithashtu, akti shton edhe 350 milionë lekë në Fondin e Kompensimit për ish–pronarët. Nga ana tjetër, ndërtuesit e vlerësojnë këtë nismë të qeverisë si shumë të rëndësishme, por sipas tyre është e pamjaftueshme. “Kjo shumë do të shërbejë për shlyerjen e nënkontraktorëve dhe kredive të marra. Ne duam shlyerjen totale prej 200 mln dollarësh.