Biznesi, si do të bëhet informimi online
Projektohet informimi online për detyrimet vjetore të subjekteve të biznesit në kryeqytet. Vetëm pak ditë pas inaugurimit të Qendrës së Biznesit në Tiranë, Bashkia e Tiranës, nëpërmjet strukturave përkatëse, synon krijimin e lehtësive dhe kushteve sa më komode që këto subjekte të informohen për detyrimet që kanë ndaj shtetit dhe po ashtu të kenë hapësirat e duhura për t’i shlyer në kohë këto detyrime. Për të përmirësuar edhe më tej këtë cilësi të shërbimit, Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore është duke vënë në zbatim një projekt të rëndësishëm për informimin online të rreth 45 mijë tatimpaguesve dhe subjekteve, që kanë detyrime të taksës së pasurisë. Sistemi i komunikimit është parashikuar të vendoset në faqen e internetit të Drejtorisë së Taksave dhe do të jetë shumë shpejt në dispozicion të tatimpaguesve. Aktualisht subjektet e biznesit në kryeqytet, sipas legjislacionit në fuqi, njoftohen për detyrimet e tyre vjetore dhe të prapambetura, që përfshijnë taksat vendore dhe tarifën vendore të biznesit të vogël, nëpërmjet postës dhe inspektorëve të Drejtorisë së Tatim-Taksave. Me projektin e ri që është duke u përpunuar, parashikohet që paralelisht me këto forma të zbatohet edhe informimi online. Sipas këtij projekti, të gjitha subjektet do të kenë kodin e tyre personal dhe fjalëkalimet përkatëse për të hyrë në faqen e të dhënave me detyrimet tatimore. Kodet dhe fjalëkalimet do të shpërndahen nga administrata tatimore dhe janë të ndryshueshme sipas dëshirës së përdoruesit në panelin përkatës në faqen elektronike.
Në brendësi të kësaj faqeje elektronike subjektet e biznesit do të kenë mundësi të gjejnë disa rubrika mjaft të rëndësishme, që do t’i ndihmojnë të komunikojnë me administratën tatimore. Në seksionin e të dhënave të përgjithshme të subjektit do të vendosen informacionet bazë të tatimpaguesit, si data e regjistrimit, koha e licencimit, lloji i aktivitetit, gjendja aktuale apo adresa e pronave përkatëse. Në një rubrikë do të jepen detyrimet e subjektit sipas njësive të biznesit që ka ai, ndërsa në një tjetër seksion do të pasqyrohet edhe fatura përkatëse e arkëtimit me firmën dhe vulën e autoritetit përkatës.
Në faqen e re të informimit online nuk do të mungojnë edhe seksionet e komunikimit me administratën tatimore. Kështu, një nga rubrikat është parashikuar të jetë kutia postare, ku subjektet e ndryshme do të mund të dërgojnë mesazhe për të kërkuar sqarime apo hollësi lidhur me detyrimet e tyre. Ndërsa një tjetër rubrikë do të jetë e rezervuar për ankesat e subjekteve, si ndaj inspektorëve në terren, ndaj administratës tatimore, apo edhe për probleme të tjera që ata mund të ndeshin gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve. Drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës shprehen se një grup pune do të ngrihet për shqyrtimin e të gjitha ankesave të subjekteve dhe kthimin e përgjigjes zyrtare krahas vënies në rrugën e zgjidhjes së problemeve që mund të ndeshen. Këtë vit sipërmarrësit dhe qytetarët e kryeqytetit do t’i kryejnë të gjitha shërbimet në një qendër të vetme, që është ajo e Zhvillimit të Biznesit, e cila u hap në fund të vitit që lamë pas nga Bashkia e Tiranës. Nëpërmjet kësaj qendre Bashkia e kryeqytetit ka vendosur t’i kthejë kohën e humbur dëm taksapaguesve të qytetit të Tiranës, të cilët duhet të prisnin në radhë për të shlyer detyrimet e tyre. Në Qendrën e Zhvillimit të Biznesit janë përfshinë një sërë sportelesh që më parë kanë qenë të shpërndara në kryeqytet. Qendra e hapur rishtazi ndodhet në godinën e rikonstruktuar të ish-Uzinës Mekanike. Ajo është e pajisur edhe me informacione të përmbledhura, për të sqaruar qytetarët mbi legjislacionin tatimor, ndërsa numri i sporteleve që përfshihen në këtë qendër tashmë është 14.