E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi ndryshon pagën e deputetëve



Erald Kapri

Deputetët do të paguhen në bazë të aktivitetit të tyre në komisione dhe seanca. Me një vendim të marrë në seancën e datës 20 maj, Kuvendi ka përcaktuar se deputetët do të paguhen në sajë të aktivitetit të tyre në Kuvend, duke llogaritur pjesëmarrjen e tyre në seanca plenare apo punime në komisione. Ata nuk do të paguhen më me një pagë bazë, por paga e tyre do të llogaritet si raport mes pjesëmarrjes dhe mungesave. Prej kohësh deputetët e opozitës ishin ankuar për pagat e tyre gjatë kohës që ndodheshin në bojkot ndaj Kuvendit. Tashmë në bazë të vendimit është përcaktuar se 40 për qind e pagës së deputetit do të përbëhet nga pjesëmarrja e tij në seanca plenare. Pra, nëse mesatarisht sot mbahen 4 seanca në muaj, deputeti do të marrë 10 për qind të pagës së tij vetëm me pjesëmarrjen në një seancë. Nga ana tjetër, gjysma e pagës, ose 50 për qind e saj do të llogaritet nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve parlamentare. Ndërsa 10- përqindëshi i fundit do të llogaritet nga pjesëmarrja në aktivitete shtesë që aktivizon Kuvendi. Me këtë rregullore të re pagash, duket se deputetët do e kenë të vështirë të mungojnë në punimet e Kuvendit. Në ligjin bazë të statusin të deputetit nuk ka pasur një specifikim për rrogë bazë të deputetëve, ndërsa ata që merrnin pjesë rregullisht në punime seancash apo komisionesh kishin një stimul të vogël financiar. Kjo bënte që në komisione apo edhe në seancë plenare të kishte mungesa të mëdha të deputetëve. Sipas vendimit të Kuvendit, tashmë “mospjesëmarrja e deputetit në mbledhjet e komisioneve të përhershme të Kuvendit apo seancë plenare sjell ndalesën e pjesshme të pagës deri në 90 për qind të saj në përputhje me frekuentimin e tij në to për një muaj. Në rastet e moszhvillimit të mbledhjes së komisionit, për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët e pranishëm përjashtohen nga ndalesa e pagës për këtë mbledhje”. Më tej specifikohet se raportet e pagës, të parashikuara në pikën 1 të vendimit, zbatohen edhe për përfitimet e tjera që ka deputeti, si: dieta, shpenzime transporti, shërbime telefonike apo shpenzime për strehimin, të cilat i paguhen deputetit përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo seancë plenare. Përpara këtij vendimi, paga e një deputeti llogaritej krejt ndryshe. Më përpara pjesëmarrja në çdo mbledhje të komisionit shpërblehej me 2 mijë lekë, shifër e cila ndryshon për kryetarin dhe nënkryetarin e komisionit. Nëse kryetari i komisionit nuk do të merrte pjesë në një mbledhje të tij, ai do të humbte 2.5 mijë lekë të rinj, ndërsa nënkryetari 2.2 mijë lekë. Këto shpërblime nuk ishin pjesë e rrogës së deputetit. Për deputetët, të cilët nuk banojnë në kryeqytet, u jepej si shpërblim 12 ditë dieta në muaj, kurse atyre që jetojnë “afër punës së tyre”, kjo shifër është gjashtë ditë. Deputetët mendohej se paguheshin me një mesatare prej 150 mijë lekësh të reja në muaj. Ata kishin edhe përfitime të tjera si për transportin, qira shtëpie nëse ishin nga rrethet, dieta për udhëtimet etj.

Greqia: Inventar pronave të minoritetit në bregdet

Greqia do të inventarizojë në Shqipëri pronat e minoritetit grek. Deklarata u bë nga Ministri Plotësues i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, gjatë një interpelance në Parlamentin grek. Ishin deputetët e Partisë Nacionaliste LAOS, që i kërkuan shpjegime Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme, për politikat e saj për minoritetin grek në Shqipëri. Siç citon Ministria e Jashtme Greke në faqen zyrtare, Droutsas, duke bërë një analizë të punës së dikasterit të tij, u fokusua në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë, duke deklaruar se Greqia dominon fort me ekonominë e saj në Shqipëri, dhe kjo falë programeve dhe projekteve të fondeve, dhënë në ndihmë të fuqizimit të minoritetit grek në Shqipëri. “Vihet re një prani e fortë e ekonomisë së Greqisë në Shqipëri, kjo falë krijimit të kushteve të duhura për pjesëtarët e pakicave kombëtare greke në Shqipëri, që ata të qëndrojnë në vatrat e tyre, dhe për ata që i kanë lënë këto vatra, të mund të kthehen atje të sigurt”. Ministri Plotësues i Punëve të Jashtme në këtë kuadër përmendi projektin e Qeverisë greke me OSBE për pronat e pakicave greke në Shqipëri, që sipas Droutsas po has vështirësi, për shkak të çështjes ende të pazgjidhur të pronave në Shqipëri. “Për të forcuar pozitën e pakicave kombëtare greke, dhe perspektiva për ata që kanë mbetur për t’u kthyer, është shumë e rëndësishme që të zgjidhet problemi lidhur me pronën në Shqipëri. Për këtë qëllim, Ministria e Jashtme greke është bashkëfinancuese e një programi të OSBE-së për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronës së minoritarëve në bregdetin jugor të Shqipërisë”, tha Droutsas. Numri një i diplomacisë greke shpreson se kjo do të bëhet e mundur, jo vetëm për marrëdhëniet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Greqisë, por respektimi i të drejtave të minoritetit grek, është kusht i BE ndaj shtetit shqiptar.
“Në çdo rast, kursi evropian që po ndjek Shqipëria do të ketë rëndësi kyçe, për të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare. Përparësi e Shqipërisë në këtë drejtim është gjithashtu të sigurojë interesat e Pakicave Kombëtare Greke”. Si një kusht që po plotësohet karshi pakicave greke, Droutsas përshëndeti edhe regjistrimin e popullsisë, sipas etnisë, ndërmarrë nga Qeveria shqiptare që pritet të bëhet brenda vitit 2011. “Një nga detyrimet që Shqipëria duhet të kryejë sipas BE, është të bëjë regjistrimin e popullsisë brenda vitit 2011. Dhe ne e shohim pozitiv faktin që studimi i përgatitur nga autoritetet shqiptare përfshin një pyetje për origjinën etnike, e cila ka qenë një kërkesë e mbetur pezull kaq kohë nga Pakicat Kombëtare Greke”, u shpreh Droutsas, gjatë interpelancës në Parlamentin grek.

Llogaritja e pagës

Raportet e përbërësve të pagës mujore të deputetit janë:
a) 40 % të pagës për pjesëmarrjen në seancë plenare.
b) 50 % të pagës për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit.
c) 10 % të pagës për pjesëmarrje në veprimtari të tjera parlamentare.

Mospjesëmarrja e deputetit në mbledhjet e komisioneve të përhershme të Kuvendit, apo seancë plenare sjell ndalesën e pjesshme të pagës, sipas shkronjave “a” dhe “b”, në përputhje me frekuentimin e tij në to për një muaj. Në rastet e moszhvillimit të mbledhjes së komisionit, për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët e pranishëm përjashtohen nga ndalesa e pagës për këtë mbledhje.

Raportet e pagës zbatohen edhe për përfitimet
e tjera që ka deputeti, si: dieta, shpenzime transporti, shërbime telefonike apo shpenzime për strehimin, të cilat i paguhen deputetit përpjesëtimisht me pjesëmarrjen
e tij në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo seancë plenare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›