Meta niset në Sarajevë
Zv. kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u nis dje për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë që do të zhvillohet në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, “ky takim, që zhvillohet në kuadër të 10-vjetorit të Samitit të Zagrebit, pritet të bëjë një vlerësim të progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit europian si dhe të rikonfirmojë perspektivën e qartë europiane të këtyre vendeve”. Në këtë takim pritet që të miratohet parimisht edhe marrëveshja e bërë publike pak ditë më parë nga Komisioni Europian për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Brenda muajit korrik pritet që ekspertët e KE-së të verifikojnë plotësimin e tri kushteve nga Shqipëria dhe më pas vendimi do të miratohet në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së.