E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE shtyn rezolutën për Shqipërinë



Parlamenti Evropian shtyn për në mble-dhjen e 22 qershorit votimin e rezolutës për Shqipërinë, të hartuar nga eurodeputeti grek, Nikolaos Chuntis. Në mbledhjen e djeshme, pasi u votua rezoluta për Bosnje Hercegovinën, u vendos që të shtyhet raporti për vendin tonë me shpresën se deri në javën e tretë të këtij muaji maxhoranca dhe opozita të gjejnë një zgjidhje për krizën që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Anëtarët e Komisionit të Jashtëm kërkuan që të shtyhet votimi deri në datën 22 qershor. Unë jam dakord me këtë, me shpresën që diskutimet midis forcave politike në Shqipëri do të kenë një rezultat të mirë, që të përfshijmë këtë ndryshim në raportin tonë”, tha në mbledhjen e djeshme raportuesi për Shqipërinë, Chuntis. Rezoluta ishte parashikuar fillimisht për t’u votuar në seancën e Parlamentit Evropian që në 5 maj, por kriza politike dhe negociatat me zyrtarët e PE-së bënë që ajo të shtyhet deri në fund të qershorit. Eduard Kukan, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, tha në mbledhjen e djeshme se vendimi për të shtyrë votimin e rezolutës duhet të lexohet mirë nga politika shqiptare. “Vendimi për shtyrjen e votimit sot duhet të merret nga Shqipëria si një mesazh i qartë politik i favorshëm dhe duhet përdorur në mënyrë të logjikshme dhe racionale. Jam i kënaqur që pati disa progrese kohët e fundit në drejtimin e gjetjes së një zgjidhjeje për situatën politike”, u shpreh Kukan. Ndërkohë eurodeputetët e majtë dhe të djathtë bënë thirrje për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe amendimin e Kodit Zgjedhor, duke pyetur më parë misionin e OSBE-së. “Asnjë nuk konteston rezultatin e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e maxhorancës, por ne flasim për përmirësim e Kodit Elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi optimistë për hapat që janë bërë kohët e fundit midis dy forcave kryesore politike dhe shpresojmë se po arrihet një marrëveshje për komisionin hetimor, të kryesuar nga opozita dhe me shumicë të opozitës. Ne mendojmë se votimi në seancë plenare të Parlamentit Europian duhet shtyrë, në mënyrë që t’u lejojmë të dyja palëve të bëjnë këtë hap të fundit për t’i siguruar vendit stabilitet politik”, u shpreh Hannes Svoboda, nënkryetari i grupit socialist në PE. Ndërsa sipas Doris Pack, “në të ardhmen, nëse socialistët shqiptarë konsiderojnë të arsyeshme se Kodi Elektoral duhet përmirësuar, jam dakord, por në këtë rast duhet bërë konform standardeve ndërkombëtare, duke pyetur OSBE-në, se si mund tê ndryshohet. Pas diskutimeve që dëgjova sot, mendoj se të gjithë shohin një zgjidhje të problemit”. Në të njëjtën kohë eurodeputetët konfirmuan se procesi i liberalizimit të vizave nuk do të ndikohet nga kriza politike në vend. “Disa nga kolegët e mi mendonin të përdornin termin e kushtëzimit politik, për të thënë, se nëse s’ka zgjidhje për ngërçin politik, nuk ka heqje vizash. Unë nuk jam dakord me këtë. Unë ju referova komisioneres Malmstrom dhe Fule, që thonë që ky është një proces teknik. Komisioni Europian i ka vendosur kritere teknike Shqipërisë, që duhet të plotësohen tërësisht para heqjes së vizave. Kur këto të përmbushen tërësisht, Komisioni dhe Parlamenti duhet të aprovojnë heqjen e vizave, pa shtuar kritere politike”, tha Kukan.

Samiti i Sarajevës

Një ditë para Samitit të Sarajevës, mediat bëjnë të ditur se në takimin që do të nisë sot, ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm nga vendet e BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga NATO dhe OSBE, pritet konfirmim i perspektivës evropiane. Pritet që në samitin e Sarajevës të vlerësohen përparimet e vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimit europian. Brukseli megjithatë paralajmëron se kanë mbetur ende sfida në rrugën europiane. Takimi i Sarajevës, i organizuar nga Presidenca Spanjolle me mbështetjen e Bashkimit Evropian, do të shënojë 10- vjetorin e Samitit të Zagrebit të 25 nëntorit 2000, ku u prezantua Procesi i Stabilizim Asociimit dhe perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky proces u konfirmua në Samitin e Selanikut më 2003-in, ku u iniciuan gjithashtu, edhe
takime të nivelit të lartë.

Rama: Berisha të pranojë paktin
Kreu i PS-së, Edi Rama, i bëri dje thirrje Kryeministrit të pranojë marrëveshjen për zgjidhjen e krizës. “Shqipëria ka nevojë të lëvizë me shpejtësi përpara, duke u hapur shqiptarëve rrugën e normalitetit demokratik përmes transparencës publike të kutive të mbyllura dhe duke u hequr atyre kufijtë e lëvizjes në Europë përmes liberalizimit të vizave. Kompromisi e garanton këtë. Ne e kemi pranuar kompromisin. Ju bëj thirrje zoti Kryeministër ta pranoni edhe ju, sepse pasojat e moszgjidhjes do t’u bien mbi kurriz shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia do të jetë vetëm e juaja. Kështu që ju zoti Berisha duhet të jeni dyfish i interesuar për të mos e mbajtur të bllokuar zgjidhjen, edhe si shqiptar, edhe si Kryeministër”, tha Rama.

Topalli: Rama s’do kthehet më
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, sulmoi dje kreun e PS-së, Edi Rama nga qyteti i Shkodrës. “I them sot Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen kurrë më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë”, tha Topalli. Sipas saj, “27 maji është së pari vendimi i premtuar, së dyti premtimi i mbajtur dhe sepse ne realizuam zgjedhje me standarde, që plotësonin shumicën e kërkesave të OSBE/ODHIR-it. Dhe mbi të gjitha, sepse gjatë kësaj periudhe ne shqiptarët, secili prej jush, kemi realizuar të gjitha kushtet, të gjitha detyrimet që Komisioni Europian, Bashkimi Europian na kishte vënë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›