E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi në seancë plenare, vlerëson Rezolutën e KiE

Tiranë, 28 Janar NOA Fishë teknike - Kuvendi
u mblodh sot në seancë plenare, ora 17.00, në drejtimin e Kryetares së Kuvendit
Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:

1. Diskutime për çështje jashtë rendit të
ditës (deri 60 minuta). 
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 21.01.2010.
3. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të
Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës
dhe Hercegovinës, për ripranimin e personave me qëndrim të parregullt.
4. Projektligj Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën
Ndërkombëtare, për përgjegjësinë civile për dëmet e shkaktuara nga ndotja, nga
karburanti i depozitave, 2001.
5. Akt Normativ nr. 10, datë 23.12.2009 Për disa ndryshime në ligjin nr.
10.025, datë 27.11.2008 Për buxhetin e vitit 2009 të ndryshuar.
6. Projektligj Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 7651, datë
21.12.1992 Për festat zyrtare e ditët përkujtimore të ndryshuar.
7. Projektligj Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8366, datë
2.7.1998, Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), të ndryshuar.
8. Projektligj Për Autoritetin e Aviacionit Civil.
9. Projektligj Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë
28.12.1998 Për tatimin mbi të ardhurat të ndryshuar.

Kryetarja e Kuvendit në çelje të seancës, duke
përshëndetur votimin e Rezolutës të Këshillit të Evropës për Shqipërinë,
tha se është një rezolutë, e cila përmban brenda vetes thirrjen për opozitën,
për të stopuar bojkotin e parlamentit.

Në të gjitha diskutimet e kësaj seancë
plenare të KE, duke filluar nga më e majta më ekstreme, duke vazhduar tek
socialistët, socialdemokratët, të qendrës, të djathtës dhe të djathtës
ekstreme, që të gjithë i kërkuan liderit të PS që të ndalë bojkotin, sepse
bojkoti nuk është mënyra, me të cilën mendon Evropa, se bojkoti nuk është
mënyra, me të cilën punon Evropa.Jashtë rendit të ditës, deputetët trajtuan gjerësisht Rezolutën e Këshillit të
Evropës të miratuar sot në Strasburg, për Shqipërinë, letra e Partisë
Socialistë drejtuar Asamblesë të KE për të ngrirë kredencialet e delegacionit
shqiptar në këtë institucion të rëndësishëm të Evropës, komente mbi qëndrimet
më të fundit të Partisë Socialiste, probleme të infrastrukturës energjetike në
Dibër.

Deputetët më pas diskutuan projektligjet e
përfshira në rendin e ditës. Në fund të seancës deputetët mbajtën një minutë
heshtje në nderim të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano. 

Seanca plenare i mbylli punimet në orën 20.10.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›