Mbaron karburanti, rrezikon jetën në det çifti i të rinjve
Dy të rinj nga Fieri kanë marrë një motor uji me qira dhe janë larguar drejt Gadishullit të Karaburunit
VLORË - Kanë zgjedhur që të bëjnë një xhiro me motor uji teksa kanë menduar që gjatë këtij udhëtimi në det të shohin edhe gadishullin e Karaburunit. Por aventura ka qenë e rrezikshme për ta, pasi kanë mbetur në mes të detit nga një pakujdesi e vogël: nuk kanë kontrolluar karburantin. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy të rinjtë nga Fieri kanë zgjedhur Vlorën për të kaluar fundjavën. Pasi kanë qëndruar për rreth dy orë në rërë, në zonën e Ujit të Ftohtë, ata kanë marrë një motor uji me qira dhe kanë nisur të "eksplorojnë" gadishullin e Karaburunit, pjesën jugore të tij. Pasi kanë kaluar rreth një orë që ata vijonin shëtitjen në det, motori është fikur për shkak të mbarimit të karburantit.
Një gjë e tillë ka bërë që dy të rinjtë të mbesnin në mes të detit. Mësohet se ata janë munduar që të afrojnë motorin me bregun, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur për shkak të dallgëve. Tentativa për t'iu afruar brigjeve me not ka qenë e rrezikshme për ta, për shkak se rrymat i kanë tërhequr më në thellësi. Rreth dy orë më pas të rinjtë kanë mundur të "zbarkojnë" në Gjirin e Dafinës. Rreth orës 18:00 ata kanë parë një gomone me turistë dhe u kanë bërë shenjë që të afrohen e t'i marrin me vete. Ndërkohë, pas zhdukjes së tyre, është njoftuar policia e cila ka nisur kontrollin në gjithë zonën e bregut, por pa pasur rezultat. Çifti nga Fieri ka mundur të arrijë në Vlorë vetëm në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, ku edhe janë marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore. Ndërkohë, në orët e natës është gjetur edhe motori, i cili ishte braktisur nga dy të rinjtë për shkak të mungesës së karburantit.