E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestojnë studentët e Mjekësisë në UT

Kërkojnë reformim të sistemit arsimor-shëndetësor, korrigjim të gabimeve në literaturë, shtim të numrit të pedagogëve

Të rinjtë që studiojnë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës janë rebeluar duke protestuar dje me një seri kërkesash. Studentët e Mjekësisë kanë kërkuar që në mënyrë urgjente të reformohet, duke pësuar ndryshime të ndjeshme dhe pozitive, sistemi arsimor-shëndetësor, për të cilin ata shprehen me shumë pakënaqësi për sa i përket formatit aktual. Po kështu, mes kërkesave të tjera të këtyre të rinjve janë edhe korrigjimi i mangësive në literaturën mjekësore, krijimi i kontratave me qendra të tjera spitalore, ku mund të ushtrohen studentët, rritja e numrit të pedagogëve, shtimi i ambienteve të mësimdhënies, organizimi i aktiviteteve shkencore etj. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në UT zgjodhën dje protestën, si të vetmen zgjidhje për këtë qëllim. Po kështu ata janë shprehur se protestat e tyre do të vazhdojnë në rast se do të vënë re mungesë impenjimi në plotësimin e kërkesave të tyre.

Pas parashtrimit të këtyre kërkesave nga ana e përfaqësuesve të protestës, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, u foli të rinjve për mundësitë reale të plotësimit të kërkesave të tyre. “Fakulteti i Mjekësisë, dekanati, trupa pedagogjike, janë të gatshëm të përfshihen në zgjidhjen e kërkesave, dhe këto janë vërtet të vështira, sepse duan impenjim, kohë, por ne jemi për t’i zgjidhur ato”, theksoi dekani Priftanji. Në këtë mënyrë ai ka mbështetur protestën e të rinjve, duke premtuar edhe angazhim në këtë drejtim.

Në përfundim të protestës, studentët pohuan përpara dekanit të fakultetit të tyre se do ta vazhdojnë këtë lëvizje edhe më 13 prill nëse do të mungojë vullneti i duhur për plotësimin e kërkesave të tyre.

Dy vjet më parë, nga vetë Kryeministri Sali Berisha u diskutua mundësia e krijimit të një universiteti mjekësor, ku të përfshiheshin Fakulteti i Mjekësisë, së bashku me atë të Infermierisë, që aktualisht janë pjesë e Universitetit të Tiranës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›