Kuvendi refuzon Raportin e KQZ-së për zgjedhje
Mospasqyrimi i vërejtjeve, mangësive dhe manipulimeve të shumta gjatë zgjedhjeve të fundit bënë që raporti i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2010 të mos miratohet nga ligjvënësit.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në vazhdimin e seancës së Kuvendit, tha se raporti nuk pasqyron gjendjen reale të zgjedhjeve të fundit.
Manipulimet, hajnia klasike e mazhorancës së Kuvendit, numri i votuesve dhe mbushja e kutive të votimit, sipas Gashit, nuk i pasqyron ky raport, transmeton Koha.
Këtë raport e ka kundërshtuar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”. Violeta Haxhiu ka kërkuar që ky raport të jetë “për tokë”. Të njëjtin mendim e kanë shprehur edhe AAK-ja dhe Koalicioni për Kosovë të Re. Ky raporti i KQZ-së pasqyron një gjendje sikur të mos kishte ndodhur asgjë e metë në organizimin e zgjedhjeve, ka thënë Blerim Shala.
Ndërkaq, Muhamet Mustafa, nga Koalicioni për Kosovë të Re ka thënë se ky raport nuk flet për lëshimet gjatë procesit zgjedhor.
Grupi parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje“ gjithashtu ka kundërshtuar miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë.
Deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, ka akuzuar kryeministrin Thaçi, pasi, sipas tij, qysh tani ai ka menduar të ndryshojë ligjet, të cilat do t’i ofrojnë privilegje edhe pas përfundimit të mandatit. Ai ka shtuar se ky projektligj do t’i kontribuojë vetëm atyre, të cilët po i keqpërdorin paratë publike.
Konjufcës i është përgjigjur menjëherë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke thënë se ky ligj vetëm forcon institucionet gjyqësore, duke mos kërkuar që të shikohen figurat udhëheqëse aktuale. Pavarësisht nga kjo, Kuvendi miratoi në parim këtë projektligj.