E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi rimandaton Fullanin në krye të Bankës së Shqipërisë

04/11/2011  Pasi u rrëzuan dy dekretet e Presidentit të Republikës gjatë seancës së djeshme plenare, deputetët kanë votuar edhe për kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kështu, Kuvendi miratoi me 75 vota pro Ardian Fullanin, duke e mandatuar për të dytën herë në krye të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu vetëm me votat e mazhorancës u votua dhe kandidatura tjetër e PD-së, Petraq Milo, si dhe Elizabeta Gjoni. Kjo e fundit e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për anëtare e Bordit. Ndërsa sa i përket anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, opozita bashkoi votat e saj me mazhorancën për miratimin e Dhori Kules, Eva Golemit për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Ndërsa kandidatura e Ermelinda Meksit mori konsensus të plotë nga të dyja palët, kundrejt 7 vota kundër të anëtarëve të lëvizjes së mendimit ndryshe. Më tej deputetët miratuan me konsensus projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e konventës së vitit 1979, «Për ndotjen ndërkufitare të ajrit në distancë të largët për të pakësuar acidifikimin, eutrofikimin dhe ozonin në shtresën e poshtme të atmosferës»”, dhe projektvendimin “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit «Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.233, datë 11.02.2010 ‘Për Autoritetin e Aviacionit Civil’»”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›