E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punës po punon intesivisht për të mbajtur nën kontroll situatën e rrugëve automobilistike në të gjithë vendin

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Drejtorite Rajonale në të gjithë vendin po punojne intensivisht dhe janë në gadishmëri të plotë për të mbajtur në gjëndje pune dhe nën kontroll kalueshmërinë e të gjitha llojeve të mjeteve në akset rrugore kombëtare.

Burime nga kjo ministri bënë të ditur se në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, prefekturat dhe pushtetin lokal, po ndiqet situata shumë të vështirë e krijuar nga moti i keq në disa prej akseve rrugore të vendit. Momentalisht, të gjithë akset nacionale janë nën kontroll, pavarësisht vështirësive të mëdha që po shkakton dëbora e dendur.

Të njëjtat burime vënë në dukje se ne Qarkun e Tiranës rrugët janë të lira dhe pa probleme për qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, në Krrabë, Bërzhite dhe Dajt janë një sërë mjetesh si, borëpastruese, eskavatorë dhe fadroma, të cilat janë gjatë gjithë kohës në punë. Ne Qarkun e Elbasanit rrugët janë të kalueshme. Edhe në Qafë-Thanë nuk ka probleme për momentin, por gjithësesi, janë 3 mjete që po punojnë për kontrollimin e situatës dhe mbajtjen nën kontroll të situatës dhe vazhdon hedhja e kripës për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve.

Në Qarkun e Korçës akset janë të gjitha të kalueshme, por rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për automjetet. Në Plloçë po punohet me borëpastruese dhe grejder, në segmentin Grabovë – Korcë po punohet me borepastruese, në aksin Korcë-Qafe Qar – Ersekë - Leskovik jane gjithsej 5 borëpastruese, 1 xhipsit dhe 1 fadromë, ne Korcë – Voskopojë dhe Korcë – Dardhë po punohet me borëpastruese dhe traktorë. Gjithashtu, edhe në segmentet Korcë – Dogana Liqenasit, Bilisht- Baban- Hocisht, Plasë-Pojan-Pendnavinj dhe Maliq-Lozhan-Moglicë po punohet me borëpastruese, grejder dhe fadroma për shpërndarjen e kripës dhe skorjeve për të siguruar kalueshmërine e tyre të vazhdueshme.

Në Qarkun e Gjirokastrës nuk ka probleme për qarkullimin e automjeteve. Në segmentet Qafë Muzinë dhe Shkallë e Zezë janë gjithsej 4 fadroma, grejdera, si dhe 1 automjet për hedhjen e kripës dhe skorjeve. Në Qarkun e Shkodrës kalimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Akset problematike janë Qafë Mali- Qafë Shllak- Fierzë, Pukë – Fushë Arrez, Shkodër – Pukë. Po punohet me borëpastruese, grejder dhe automjete për hedhjen e kripës. Jane duke punuar gjithashtu dhe të gjithë punëtoret e firmave kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve. Është lajmëruar Drejtoria e Policisë së Qarkullimit Rrugor për moslejimin e mjeteve pa zinxhirë. Situata, vecanërisht në zonën e Qafës së Malit, mbetet e vështirë për shkak të stuhisë së fortë të dëborës që ka mbërritur në rreth 70 centimetra trashësi. 

Në Qarkun e Lezhës, në aksin Rrëshen – Rubik – Qafë Bene qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Eshtë lajmëruar Drejtoria e Policisë së Qarkullimit Rrugor për moslejimin e mjeteve pa zinxhirë. Në Qarkun e Dibrës aksi Peshkopi – Ura e Cerenecit është i kalueshëm me zinxhirë dhe po punojnë 2 fadroma, 1 borëpastruese dhe 1 varinsk. Në segmentin Qafë e Buall-Ura e Cerenecit po punojnë 3 borëpastruese, 1 varinsk dhe 1 fadrom me zinxhirë si dhe vijon hedhja e kripës dhe e rërës për të mbajtur në gjëndje kalueshmërie rrugën. Situata paraqitet e vështirë edhe në zonën e Maqellarës, për shkak të erërave të forta dhe temperaturave shumë të ulta, që bëjnë që dëbora të shndërrohet menjëherë në akull.

Në Qarkun e Kukësit, aksi Morinë – Kukës, Kukës – Qafë Shllak është i kalueshëm me zinxhirë. Ka 4 mjete borëpastruese në këtë lot. Në aksin Kukës – Morinë po punohet që në orët e para të mëngjesit me 1 borëpastruese dhe 1 eskavator. 3 borëpastruese po punojnë në Kukës – Qafë Shllak. Në Kukës- Shishtavec po punon 1 traktor për të zhbllokuar rrugën. Aksi Kukës- Drajrec- Peshkopi është i hapur deri në Klososjan- Domaj dhe 1 eskavator po punon për ta mbajtur të hapur këtë segment. Në aksin Kukës – Krumë levizet me zinxhirë, ndërkohë është 1 eskavator që po punon. Në aksin e Tropojës po punojnë 2 eskavatorë dhe 2 borëpastruese.

Në qarqet e Durrësit, Vlorës, Fierit dhe Beratit nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve.

Ministria e Punëve Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Drejtoritë rajonale do të vazhdojnë të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme të gjithë situatën, për të bërë të mundur mbajtjen hapur dhe kalueshëm të të gjithë akseve nacionale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›