E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Pukës zhbllokoi nga dëbora një furgon më pasagjerë që udhëtonin nga Tirana për në Tropojë

Policia dhe ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve në rrethin e Pukes jane ne gatishmëri për vënien në funksion të rrugëve. Me ndërhyrjen e tyre u bë i mundur edhe zhbllokimi nga debora i një furgoni me pasagjerë të linjës Tiranë-Tropojë.

Reshjet e dëborës së ditëve të fundit kanë vështirësuar së tepërmi akset rrugore që lidhen me rrethin e Pukës. Burime pranë komisariatit të policisë bënë të ditur se zonat më problematike për momentim janë ato të Iballës, Qafë Malit, ku trashësia e dëborës ka kaluar mbi një metër. Megjithë punën e mirë që është duke bërë ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve të prefekturës së qarkut Shkodër si dhe policia e Pukës, ngricat që janë shfaqur në disa zona si rezultat i uljes së ndjeshme të temperaturave, kanë bërë që automjetet të kenë probleme serioze për qarkullimin e tyre. 

Njoftimet më të fundit nga policia rrugore e Pukës bëjnë të ditur se një automjet tip Benz ka dalë nga rruga në aksin rrugor Shkodër-Pukë duke shkaktuar dëmtimin e drejtuesit si dhe shkatërrimin në një masë të konsiderueshme të automjetit. Ndërkohë, një tjetër rast është ai i regjistruar mbrëmjen e djeshme, kur një furgon i linjës Tiranë-Tropojë me 16 pasagjerë nuk ka mundur të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Tropojës, pasi në vendin e quajtur Përroi i Plepit është bllokuar nga një sasi e madhe dëbore, e cila në formën e ortekut ka rënë nga mali. Me të marrë njoftimin,  forcat e policisë së Pukës kanë mbërritur në vendngjarje dhe në bashkëpunim me punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve, kanë bërë të mundur që brenda pak orësh të bëhej e mundur hapja e rrugës duke i dhënë mundësi furgonit që të trasportojë pasagjerët në destinacion, rrugë të cilën e ka bërë i shoqëruar edhe nga forcat e policisë së Pukës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›