E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rinis sot me "reformën në drejtësi"

Pas ndërprerjes së festave, parlamenti do të marrë në shqyrtim kalendarin dhe projektligjet. Maxhoranca kërkon konsensus për "reformën në drejtësi". 

TIRANE- Deputetët mbarojnë pushimet dhe rinisin punën. Aktiviteti parlamentar i ndërprerë për rreth 3 javë, rifillon normalisht paraditen e sotme me mbledhjen e komisioneve të përhershme kuvendore, për t'u pasuar mandej me seancën plenare të pasdites. Kuvendi pritet të miratojë kalendarin trejavor të punës për periudhën (19 janar-5 shkurt) duke vijuar me shqyrtimin e miratimin e disa projektligjeve të rëndësishme, të mbartura nga sesioni i mëparshëm. Ndër draftet që do të jenë objekt i seancës, veçojmë atë "Për Administratën Gjyqësore" si edhe "Për gjykatat administrative", teksa pritet të votohen edhe nisma të tjera të propozuara nga qeveria që lidhen me projekte në infrastrukturë, ujësjellës, etj.
Zgjedhjet
Janari pritet të jetë një muaj dedikuar përgatitjes së zgjedhjeve legjislative. Së pari, Parlamenti duhet të ngrejë KQZ-në dhe të zgjedhë anëtarët dhe kryetarin e saj sipas propozimeve të maxhorancës dhe opozitës. Për shumë specialistë dhe ekspertë, ky institucion duhet të konstituohet brenda datës 28 janar.
Sesioni
Ky sesion është i fundit për këtë legjislaturë, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 qershor. Me fillimin e tij pritet raportimi vjetor në Kuvend i drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe organeve të tjera në varësi të parlamentit mbi veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2008. Fillimisht, këto raporte paraqiten para komisioneve parlamentare dhe më pas debatohen në seancë plenare, ku parlamenti miraton dhe një rezolutë për punën e çdo institucioni. Kështu, në javët në vazhdim, do të raportojnë në Kuvend, drejtues të Komisionit të Shërbimit Civil, të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Avokati i Popullit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit, etj. Cikli i raportimeve të përvitshme në Kuvend do të mbyllet rreth fundit të muajit prill, pasi sesioni parlamentar që do të nisë pas një jave është i fundit për këtë legjislaturë, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen këtë vit. Mbyllja e sesionit të vjeshtës më 29 dhjetor, u kurorëzua me miratimin konsensual të një sërë nismash ligjore të qeverisë me rëndësi të veçantë për reformat integruese. Miratimi në parlament me vullnet të përbashkët pozitë-opozitë i Kodit Zgjedhor dhe i ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë", u konsideruan arritje të politikës shqiptare, që i kontribuojnë ecurisë së reformave integruese të vendit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›