E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikojnë të mbeten jashtë votimeve 700 familje rome

18/01/2009  S’kanë lekë për kartat. Kryetari i shoqatës Arben Kosturi: Kjo do favorizojë partitë “të blejnë romët”

KORÇE- Rreth 700 familje rome të qytetit të Korçës rrezikojnë të mos marrin pjesë në votime. Kështu ka deklaruar për gazetën “Metropol”, Kryetari i shoqatës më të madhe rome, “Disutni Albania” në këtë qytet, Arben Kosturi, njëherazi dhe koordinator i grupit shqiptar të Helsinkit për të drejtat e njeriut, i cili ka shpjeguar të gjitha arsyet se përse me romët në zgjedhjet 28 qershorit nuk mund të jenë të pranishëm në votime. Sipas tij, votuesit romë nuk do të mundin të pajisen me kartat e identitetit. Shumë prej tyre jetojnë në baraka dhe në kushte të vështira, ashtu si shumë të tjerë që edhe pse e kanë një banesë nuk kanë mundësi financiare, pas përgjithësisht familjet rome vazhdojnë të mbeten të mëdha me shumë fëmijë. Për këtë arsye numri më i madh i votuesve të komunitetit rom do të mbetet pa karta identiteti, çka do të thotë se do të mbeten jashtë pjesëmarrjes në votimet e 28 qershorit. Edhe pse dëshira për të votuar nuk u ka munguar asnjëherë, madje që të gjithë e dëshirojnë këtë, sërish mund të thuhet se jo gjithçka varet vetëm nga vullneti i tyre. “Sanksionet e vendosura nga qeveria, të cilat detyrojnë pajisjen me kartë identiteti për këtë shtresë të popullsisë duket se nuk do të kenë efektin e duhur, sepse këto sanksione mund të detyrojnë vetëm pensionistët, të cilët nuk zënë ndonjë përqindje të madhe, ndërsa numri i romëve që marrin ndihmë ekonomike mund të thuhet se është i pallogaritshëm përballë numrit të madh të familjeve, të cilat në tërësi numërojnë mbi 3.500 banorë. Gjithë pjesa tjetër e romëve (përjashto pensionistët dhe ata të asistencës) jetojnë me punë të zezë, çka do të thotë se ata mbeten jashtë sanksioneve, të pa prekur prej tyre. Veç kësaj numri i romëve që lëviz nëpër dogana është i papërfillshëm, kurse ata që mund të konsiderohen si buxhetorë janë shumë më pak. Për të gjitha këto arsye unë mendoj se mospajisja me kartat e identitetit do të jetë realitet, çka do të bëjë që gjatë muajit qershor ky komunitet ose më mirë lagjja e “Radanecit” të kthehet në “qendër biznesi” për të gjitha partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje se “kush do ti blejë” romët duke “u dhuruar” kartat e identitetit, sepse numri i madh i votuesve që ka ky komunitet mund të vendosë për fitoren e njërës apo të tjetrës parti. Për këtë arsye do të ishte në të mirë të këtij komuniteti që njësitë e qeverisjes vendore të evidentonin realisht të gjitha familjet që kanë vështirësi serioze ekonomike, çka do të thotë të evidentohen të gjitha ato familje që nuk do të mundin të pajisen me karta identiteti dhe si shumë kategori të tjera të shoqërisë të përfitonin nga lehtësirat që parashikon ligji. Sigurisht ne si drejtues të shoqatave jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë, por njëkohësisht kërkojmë edhe ndihmën e qeverisjes vendore, veçanërisht njerëz të qeverisë të cilët mund të sigurojnë fondet për këtë qëllim”, tha kryetari i shoqatës së romëve Disutni Albania, Arben kosturi

PAMUNDËSIA

Votuesit romë nuk do të mundin të pajisen me kartat e identitetit. Shumë prej tyre jetojnë në baraka dhe në kushte të vështira, ashtu si shumë të tjerë që edhe pse e kanë një banesë nuk kanë mundësi financiare, pas përgjithësisht familjet rome vazhdojnë të mbeten të mëdha me shumë fëmijë dhe me pak të ardhura.

ABUZIMI

Mospajisja me kartat e identitetit mund të bëjë që gjatë muajit qershor ky komunitet ose më mirë lagjja e “Radanecit” të kthehet në “qendër biznesi” për të gjitha partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje se “kush do ti blejë” romët duke “ua dhuruar”, sepse numri i madh i votuesve që ka ky komunitet mund të vendosë për fitoren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›