E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrezoi kerkesen e PS per hetim per rritjen e popullsise ne qarkun e Kukesit

Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e rritjes së popullësisë në qarkun e Kukësit, ashtu si dhe propozimet e deputetes Kodheli për pika të caktuara të ligjeve të rendit të ditës. Me 73 vota pro, 56 kundër Kuvendi ka kaluar ligjin për akcizat, me 73 vota është kaluar edhe ligji për të ardhurat nga tatimet, si dhe me një votë më pak ligji i tarifës doganore.  Seanca parlamentare ka përballur pozitën dhe opozitën lidhur me kërkesën e kësaj të fundit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e rritjes së popullsisë në qarkun e Kukësit.

Të rreshtuar sipas kampeve përkatëse mazhoranca dhe pakica parlamentare dhanë argumentat e tyre pro dhe kundër një kërkese të tillë, qëndrime të cilat nuk kursyen gjuhën e ashpër dhe kritike mes tyre.  Ishte deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ai i cili prezantoi në seancë parlamentare të gjitha të dhënat hedhin dyshime për rritjen e madhe të popullsisë në tërësinë e qarqeve të vendit, duke u renditur i dyti pas Tiranës.  “Refuzimi i hetimit ka vetëm një shkak, transparenca për popullin është turpërimi për ju”, u shpreh Gjiknuri, gjatë fjalës së tij. Në gjykimin e deputetit të PD-së, Enkelejd Alibej me këtë kërkesë PS po kërkon të krijojë një alibi për humbjen elektorale të radhës.
Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Flamur Noka ironizoi kërkesën e PS-së duke e barazvlerësuar atë me dëshirën e kreut Rama për të vijuar me telenovelën e cënimit të proceseve zgjedhore. 
Sipas tij, ligji i jep akses PS-PD për kontroll të procesit
“Ekzistojnë auditët për kontrollin e listave. Komisioni për Kukësin është një telenovelë e Ramës, pasi nuk ka ndërhyrje artificile në Kukës. Por dhe kësaj radhe Rama ka dhënë urdhër për të cënuar procesin zgjedhor. I Bëj thirrje PS të bëhet bashkëpunuese në procesin zgjedhor”, deklaroi ministri Noka. 

Por, në gjykimin kreu të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi pavarësisht se me tre apo katër mandate në Kukës, kjo mazhorancë do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme.  Kësaj deklarate i është përgjigjur homologu i tij demokrat, Astrit Patozi i cili e cilësoi kërkesën e PS-së si një argument për të mos pranuar humbjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ju qani sa herë afrohen zgjedhjet, ne mund të bëjmë gjithçka sot, por nuk ju heqim dot frikën nga humbja. Bëhuni burra dhe thoni që sot që e pranoni rezultatin. Ne kemi vuajtur gjithmonë nga mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve. Shpresojmë që të mos ndodhë më se do bëheni shumë qesharakë”, deklaroi Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›