E Diel, 1 Nëntor 2026

“Marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera, mbështetje përmes Programit të Bashkëpunimit Zhvillimor”

20-12-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm Panarit takon ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Alexander Uitteer

Kryediplomati shqiptar, Edmond Panariti, priti në një takim kortezie Ambasadorin e ri të Konfederatës Zvicerane në Tiranë,  Alexander Uitteer, me rastin e marrjes së detyrës. Në fjalën e tij, Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, dhe në këtë kuadër, theksoi rëndësinë e thellimit të dialogut politik të nivelit të lartë, duke u shprehur se kjo i shërben intensifikimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. Ministri, gjithashtu, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Ministri shprehu mirënjohjen për asistencën në vazhdimësi që Zvicra i ka ofruar Shqipërisë me projekte e programe që synojnë zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe nënvizoi rëndësinë e investimeve zvicerane në vendin tonë. Ai vuri theksin në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke u shprehur se ekzistojnë hapësirat dhe mundësitë. Ambasadori Uitteer, nga ana e tij, konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve duke i konsideruar ato një bazë solide për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si dhe siguroi për vijimësinë e mbështetjes përmes Programit të Bashkëpunimit Zhvillimor zviceran. Ambasadori, gjithashtu, bëri me dije se po punohet për realizimin e një sërë vizitash të rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm. Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunim shumë të mirë mes dy vendeve edhe në kuadrin shumëpalësh, i cili do të vijojë, veçanërisht, me marrjen e Presidencës së OSBE-nga Zvicra, në vitin 2014.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›