E paret?
Fitër Bajrami mund t’i gëzojë besimtarët e fesë islame. Jo vetëm se përfundon muaji i Ramazanit, por se ka mundësi që para kësaj feste të dihet edhe vendi se ku do të ndërtohet xhamia e madhe në Prishtinë.
Kështu ka premtuar kryetari i Komunës, Isa Mustafa, para disa ditësh. Mirëpo, ata ende nuk dinë se me para të kujt do të bëhet ndërtimi i kësaj xhamie, e cila parashihet që të ketë kapacitet për 3 mijë persona. Për zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, më e rëndësishme është që të caktohet vendi nga Komuna, e pastaj për financim do të mendojnë më vonë.
Ahmet Sadriu, zëdhënës i BIK-ut, thotë se e mira e së mirës është që ndërtimi i xhamisë më të madhe në vend të bëhet nga kontributi i qytetarëve të Kosovës. Ai citon fjalët e shefit të tij se xhamia do të ndërtohet me paratë e njerëzve që jetojnë në Kosovë. Mirëpo, Sadriu nuk e di se në çfarë forme do të bëhet grumbullimi i mjeteve nga qytetarët për ndërtimin e xhamisë.
Ai sërish citon fjalët e myftiut Naim Tërnava, i cili ka deklaruar: “Mjafton që dy milionë qytetarë t’i japin nga 5 euro”. për këtë formë të financimit, zëdhënësi Sadriu thotë se sigurisht pasi që të caktohet lokacioni, do të bëjnë ndonjë fushatë ku do të hapet xhirollogaria, në të cilën do të derdhen mjetet.
“Ne kemi njerëz që na kanë premtuar se do të na ndihmojnë”, tha Sadriu për Express.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...