E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, mesazh Adem Jasharit: Bac, u kry!

• Nuk kishte si të harrohej ditën e festës së ...madhe Baca i Kosovës, që dha jetën për të arritur lirinë dhe pavarësinë e vendit, që më në fund, pas qindra vitesh përpjekje të mundimshme, pritet të vuloset sot nga Kuvendi i Kosovës, deklarata e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe e Presidentit Fatmir Sejdiu. Një panoramë gjigande me imazhin e Adem Jasharit dhe me mbishkrimin “Bac, u kry”, ishte mesazhi që institucionet dhe populli i Kosovës i dërguan heroit të pavarësisë. “Adem Jashari është pjesë e Kosovës dhe nuk mund të mbetej jashtë kësaj feste”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi, i cili vizitoi dje varrezat e dëshmorëve në Prekaz dhe familjen e Jasharit. Thaçi në takim me kryefamiljarin e Jasharajve, Rifat Jashari, ka thënë se ka vizituar Prekazin, këtë vend të shenjtë të lirisë dhe pavarësisë, që në emër të institucioneve të Kosovës të përcjellë mesazhin publikisht se Kosova po pavarësohet, duke theksuar më tej se Prekazi dhe Adem Jashari janë themeluesit e shtetit të pavarur të Kosovës. Kryeministri i Kosovës tha se nuk do të harroheshin kurrë heronjtë dhe bashkëluftëtarët që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës. “Jemi në prag të zyrtarizmit të pavarësisë, prandaj kjo është vizita jonë e besnikërisë, për të vazhduar edhe me misionin e ri pas pavarësimit që është integrimi i shtetit tonë sovran drejt BE-së dhe NATO-s”, tha dje kryeministri i Kosovës. Kreu i familjes Jashari ka kujtuar të gjitha familjet që kanë persona të zhdukur që nga lufta me Serbinë, duke i porositur që të qëndrojnë të forta, me lutjen që këtij populli të mos i ndodhë kurrë më ndonjë e keqe në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›