Në ditën e pavarësisë, Prishtina pa makina
• Prishtina do të festojë sot pa makina, pasi pritet të vërshohet nga një supertrafik njerëzish.Parkingje të mëdha janë sistemuar në periferi të kryeqytetit të Kosovës, ndërsa të gjithë qytetarët e saj dhe bashkatdhetarët që pritet të mbërrijnë në Prishtinë për festën e pavarësisë, do të transportohen në kryeqytet më autobusë të posaçëm të siguruar nga autoritetet lokale. Edhe Shërbimi Policor i Kosovës është i gatshëm për festimet e pavarësisë. njoftime prej tyre konfirmojnë se automjetet që do të hyjnë nga vendbanimet jashtë Prishtinës mund të lëvizin vetëm deri në periferi, përderisa banorëve të Prishtinës, SHPK-ja u apelon që t’u shmangen sa më shumë përdorimit të makinave. “Gjendja e sigurisë në Kosovë është brenda kornizave të një situate të qetë dhe të sigurt”, deklaroi Agron Borovci, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës. Ai shtoi se ende nuk dihet dita dhe koha e implementimit të planit, pasi për këtë vendos Kuvendi Komunal i Prishtinës.