E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi shpërndahet më 18 ose 28 qershor

23/04/2005  Parlamentarët preferojnë ndërprerjen e punimeve dhe nisjen e fushatës

Kuvendi i Shqipërisë pritet të përfundojë punimet, nga data 18 maj deri më 30 qershor. Kjo në rast se Presidenti i Republikës do të shpallë si datë për zhvillimin e votimeve datën 3 korrik. Nëse zgjedhjet do të jenë më 10 korrik, Kuvendi do të shpërndahet më 28 maj deri 7 korrik. Sipas nenit 7 të Kodit Zgjedhor "mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt, pas datës së mbledhjes së parë të tij. Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 75 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës dhe shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 3 ditë para kësaj date". Në këtë mënyrë, në rast se zgjedhjet do të jenë në 3 korrik, atëherë legjislatura mund të përfundojë që më 18 maj. Pas kësaj, të gjithë deputetët do të zbresin në rrethe për të organizuar fushatën elektorale. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që punimet të vijojnë deri ditën e fundit të qershorit. Burimet nga partitë politike theksojnë se më e mira do të ishte që punimet të përfundonin sa më shpejt, për shkak se fushata ka filluar që tani. Megjithatë do të jetë mbledhja e kryetarëve të Grupeve parlamentare që do të vendosë për datën e shpërndarjes së Kuvendit. Ndërsa në çdo rast afatet do të vendosen prej datës që do të vendosë Pesidenti i Republikës për zhvillimin e votimeve. Ky i fundit dhe pse ka afat deri më 18 qershor për të shpallur datën e zgjedhjeve, ka vendosur që të dekretojë atë ditën e hënë. Gjatë këtyre ditëve pritet që Moisiu të përfundojë takimet me krerët e partive politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›