E Hënë, 2 Nëntor 2026

Te porta e shtëpisë var veten 14-vjeçari,frikë nga prindërit për notat pakaluese

23/04/2005  E gjen në momentet e fundit fqinji, por nuk mundi ta shpëtojë

FIER – Kishte marrë gjashtë nota negative në lëndën e fizikës dhe nga frika e prindërve var veten te porta e shtëpisë, një nxënës i klasës së VII. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18.00 të ditës së djeshme në lagjen periferike “Sheq”, në qytetin e Fierit. Burime të policisë lokale bënë të ditur se po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja

Sipas familjarëve mësohet se, Mirion Zarka, 14 vjeç, ka zgjedhur një litar për të varur veten. Rreth mesditës së djeshme, nxënësi i klasës së VII të shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa” Fier, ishte kthyer nga shkolla me djalin e xhaxhait të tij, i cili është një vit më i vogël. Pasi ka mbërritur në shtëpi, Mirioni, disa orë më vonë është gjetur i varur te porta e shtëpisë.

Ka qenë fqinji i tij, Edmond Kule, i cili ka gjetur të varur fëmijën. Megjithë ndërhyrjen e tij, pasi kishte dalluar ende shenja jete, Kule nuk ka mundur të shpëtojë 14-vjeçarin.

“Sikur ta kisha gjetur disa minuta më parë, do të kishte shpëtuar”, u shpreh Edmondi dje.

Motivi

Lidhur me motivin e kësaj vetëvrasjeje të radhës, të afërm të viktimës tregojnë se ka qenë frika për disa nota pakaluese që Mirioni kishte marrë në shkollë. Këtë ata e mbështesin me bisedën më të fundit që 14-vjeçari kishte pasur gjatë kthimit nga shkolla dje. Sipas kësaj bisede, mësohet se Mirioni t’i ketë shprehur shqetësimin kushëririt të tij për gjashtë nota katra, që ai kishte marrë në lëndën e fizikës, ku edhe rrezikonte të ngelej. Shqetësimi i Mirionit ishte për atë se si ai do t’i tregonte prindërve të tij.

Të afërmit tregojnë se në momentin e tragjedisë, në shtëpi nuk ndodhej asnjë prej prindërve, veç vëllait të vogël, i cili ka qenë duke luajtur.

Familja

Gjashtë vjet në Greqi,por s’vunë ekonomi

Familja Zarka, sipas dëshmive të të afërmve të tyre, mësohet se jeton në kushte jo të mira ekonomike. Babai i Mirionit, Kujtimi, së bashku me familjen kishte jetuar e punuar për rreth 6 vjet në Greqi. Pas kthimit ata kishin marrë një dyqan me qira në lagjen “15 tetori”, ku bashkëshortja Drita, tregtonte mish. Bashkëshortët Zarka kanë edhe një tjetër djalë, Besianin, nxënës në klasën e dytë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›