Të rinjtë kërkojnë 3 korrikun, si datë për votimet
23/04/2005 Këshilli Rinor Shqiptar i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, ku kërkohet që zgjedhjet të mos zhvillohen më vonë se data 10 korrik. Në letër është theksuar se zhvillimi i zgjedhjeve në një datë të mëvonshme do të sillte, pjesëmarrje të ulët të zgjedhësve, që mund të cënojë dhe integritetin e votimeve. Sipas KRSH-së, deri më 10 korrik shqiptarët nuk do t'i kenë nisur pushimet në masë të madhe, ndërsa pas kësaj date dihet që të gjithë i drejtohen plazheve, apo vendeve të tjera të qeta. Ndaj, Presidentit i është kërkuar që, pas konsultimeve me partitë politike, të vendosë në një datë më të afërt, në përputhje me ligjet shqiptare. Me këtë deklaratë, Këshilli Rinor Shqiptar duket se i është bashkëngjitur kreut të ODIHR-it, i cili ka kërkuar që në përputhje me Kushtetutën shqiptare, zgjedhjet të zhvillohen sa më shpejtë. Duket se në këtë kuadër ka rënë dakord dhe opozita shqiptare. Edhe pse është kërkuar që zgjedhjet të zhvillohen në muajin qershor, data 3 korrik është cilësuar si më e pranueshmja. Madje, për të afruar datën e zgjedhjeve, në parlament është propozuar dhe një amendament, por që është rrëzuar me shumicën e votave të socialistëve. Gjithsesi, kërkesa e Këshillit Rinor Socialist, do të jetë një tjetër shtysë që zgjedhjet të zhvillohen në javën e parë të muajit korrik. Nga ana e kreut të shtetit është bërë e ditur se brenda ditës së hënë do të deklarohet data e zhvillimit të zgjedhjeve, për t'i lënë më pas kohë partive politike të përgatiten për fushatën elektorale.