E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Nuk do lejojmë betonizimin e zonave turistike

23/04/2005  Program për të mbështetur pronarët tradicionalë të bregdetit në Shqipëri

Kryeministri Fatos Nano ka bërë të ditur se do të merren masa për të mos lejuar betonizimin e vijës bregdetare në Shqipëri. "Ne duhet të evitojmë gabimet e betonimit të brigjeve turistike, që kanë bërë vende si Malta, nga ku flukset turistike po largohen", tha Nano, gjatë një takimi të zhvilluar dje për studimin mbi turizmin në vendin tonë. Sipas tij, do të paraqitet dhe një projekt, i cili do të mbështetet mbi respektimin e pronësisë së tokave të popullsisë tradicionale të bregdetit, si kusht themelor për zhvillimin afatgjatë të gjithë zonës. "Ne duhet të evitojmë me këtë arsyetim konvergjent dhe “federalist”, pra “kantoni i pronareve”, “kantoni i investitorëve”, “kantoni i shfrytëzuesve”, “kantoni i menaxherëve”, “kantoni i bankierëve” etj., ne duhet të bëjmë të pamundurën që të evitojmë kthimin e interesave të pakënaqura të banorëve të territoreve turistike në një shkatërrim urban, në një mbivendosje resursesh dhe shtretërish në zona turistike, sepse sado mirë që ta bëjnë këtë gjë, nuk mund të konkurrojnë bregdetin spanjoll, bregdetin grek, bregdetin italian, nga ku po largohen qindra mijë vizitorë të vendeve që u mungon klima dhe natyra e Mesdheut", tha Nano në fjalën e tij. Ai tha se pas studimeve konkrete do të të përcaktohen se si "do t’i tërheqim potencialisht flukse të tilla, në dobi të shumëfishimit ekonomik të vlerës së pronës në zonat turistike, të vlerës së investimit për zhvillim të turizmit, në zonat prioritare dhe të stimuluara për turizmin, si do të vëmë këtë arsyetim në funksion, jo vetëm të shtimit të numrit të turistëve që vizitojnë vendin, shqiptarë dhe evropianë, por edhe në dobi të punësimit, të shpejtësisë së lëvizjes dhe kthimit të investimeve në të ardhura dhe të imazhit ose standardit, me të cilin ne bëhemi pjesë e tregut turistik mesdhetar, e sidomos pjesë konkurruese e tij". Kryeministri tha se vendi duhet të mbesë konkurrues "dhe të ndihmojmë vendasit, pronarët autoktonë dhe të rinj, që për shkak të kthim-kompensimit të pronave do të mbështesin me burime njerëzore, strategjinë e zhvendosjes së zhvillimit kombëtar drejt brigjeve të detit, të ujërave, drejt luginave, drejt pllajave, drejt atraksioneve turistike, që po bëhen shumë të kërkuara në tregun turistik global apo mesdhetar, sipas kategorive, moshat e treta nuk preferojnë besoj Durrësin më shumë se Pogradecin, moshat e treta nordike, moshat e treta gjermanike etj".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›