E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko, letër Ina Ramës: Gati të hetohem

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, shpreh gatishmërinë për të dhënë sqarime pranë prokurorisë për shitblerjet e armëve dhe municioneve gjatë kohës që ishte në detyrë. Kjo, përmes një letre dërguar Prokurores së Përgjithshme, Ina Ramës, në datën 25 mars. "Kohët e fundit, në një pjesë të shtypit, lidhur me shitblerjen e armatimeve, janë bërë aludime ndaj veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, edhe për periudhën kur ky institucion drejtohej nga unë", shkruan Majko. Ndërsa shton se në këto kushte nuk e shikon të nevojshëm vetëm një përgënjeshtrim formal të tyre. "Në përsëritje edhe të disa kërkesave të mia të mëparshme drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar çdo lloj aludimi të bërë kur unë kam qenë ministër i Mbrojtjes, Ju drejtohem sërish Juve", vijon letra. Majko kërkon që ky institucion të verifikojë çdo lloj aludimi të bërë si më parë, ashtu edhe sot për periudhën që ai ka drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes. "Për sa më sipër shprehem i gatshëm t‘ju informoj dhe t‘ju vë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm", theksoi Majko. Kjo nismë e ish-kryeministrit, njëkohësisht ish-ministrit të Mbrojtjes në qeverisjen socialiste, vjen pas debatit të hapur së fundi për çështjen e kontratave të biznesmenit Mihal Delijorgji. Në momente të caktuara është aluduar se lehtësia me të cilën Delijorgji kishte lidhur aktualisht kontrata për çmontim municioni ishte në vijimësi të atyre që ai kishte pasur me qeverisjen socialiste. Konkretisht u përfol një angazhim i firmave të Delijorgjit në çmontimin dhe eksportin e tankeve, që u këmbyen me autovetura. Majko vetë ka sqaruar publikisht se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte lidhur asnjë marrëveshje me firmat e Delijorgjit, por me shpërndarësin ekskluziv të Deimler Benzit për rajonin, me qendër në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›