E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i armëve, enigmat e dëshmive

Që prej 15 marsit opinioni publik shqiptar është përballur me një lum informacioni sa i takon tregtisë apo trafiqeve të armëve dhe municioneve. Eksponentët e prekur direkt nga ajo çka ndodhi në fshatin Gërdec kanë marrë pjesë në debatin publik, duke treguar qartë se nuk kanë kurajon të flasin qartë dhe hapur. Deri më tani rezulton se në tri raste ata më shumë se sa kanë sqaruar opinionin publik kanë luajtur me fjalëkryqe e të panjohura. Rasti i parë është letra publike, me të cilën djali i Kryeministrit Sali Berisha sqaronte marrëdhëniet me biznesmenin Kosta Trebicka. Në këtë prononcim, Shkëlzen Berisha thotë se "një miku im më kërkoi të prisja në takim një person të quajtur Kosta Trebicka, për një shqetësim të këtij të fundit". Përtej kësaj shprehjeje ai për asnjë moment deri më sot nuk i ka treguar publikut emrin e këtij personi që mbeti që në fillim nën anonimat. Në të njëjtën linjë ishte edhe Kryeministri Sali Berisha në seancën parlamentare të datës 20 mars. Në orët e vona të darkës, kreu i qeverisë përsëriti këtë histori, por sërish mbajti anonim "mikun" që ndërmjetësoi takimin mes djalit të tij dhe biznesmenit Trebicka. Rasti i dytë është deklarata e ministrit të dorëhequr, Fatmir Mediu, që sqaronte marrëdhëniet me biznesmenin Trebicka. "Unë jam këtu për të folur për persona që bëjnë akuza të pabaza dhe të qëllimshme, apo ata që qëndrojnë mbrapa tyre. Jam këtu për të sqaruar opinionin publik për dy arsye", u shpreh Mediu. Ai deklaroi publikisht se Kosta Trebickën e ka takuar vetëm, fare shkurt, me "kërkesë të dy miqve të mi të opozitës dhe në prani të tyre". Sipas Mediut, ai ishte paraqitur si përfaqësues i ambasadës amerikane dhe se punonte me një kompani që kishte kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes. "Më shprehu kërkesën që të vlerësohej si përfaqësues i kompanisë pranë ministrisë. I kam thënë shkurt që këto çështje do t‘i sqaroj në rrugë zyrtare", tha Mediu. Ndërsa la çuditërisht në enigmë emrat e dy opozitarëve, që sipas tij, negociuan takimin me biznesmenin në fjalë. Fakt që të lë të kuptosh dy gjëra: ose Mediu tentoi të krijonte idenë e përfshirjes së opozitës në këtë çështje, pa pasur diçka konkrete, ose thjesht nuk dëshiroi të jepte emrat. Rasti i tretë ka të bëjë me dëshminë televizive të biznesmenit Kosta Trebicka, rreth asaj çka ai kishte dijeni për tregtinë e armëve. Ai i referohet një takimi mes Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, biznesmenit amerikan Efraim Diveroli. Trebicka tha se këto personazhe "shkojnë në një rrugë, që kalon midis Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë. Është një shkollë 8-vjeçare aty, nuk e di se si e ka emrin kjo rrugë dhe aty shkojnë në një apartament ku zotit Diveroli dhe zotit Aleks i paraqitet zoti Delijorgji dhe një person tjetër në moshën 27 - 30-vjeçare". Duke pretenduar se këta ishin "shefat e zotit Pinari dhe kërkohet të firmoset një kontratë me zotin Pinari, domethënë me MEICO-n dhe nga tani e tutje të gjitha materialet do të shiteshin për një çmim prej 26 dollarësh për 1000 copë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh do t‘i paguhej kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilët zoti Pinari dhe zoti Fatmir Mediu po ia merrnin ndërmjet "EDVIN", po ia merrnin "AEY"-së". Edhe në këtë rast del në skenë çuditërisht një personazh enigmatik, që i mbahet sekret publikut, duke zgjeruar fjalëkryqin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›