Kuvendi, sot seanca me rregullat e reja
Një javë pasi miratoi ndryshimet në Rregullore, Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot punimet në seancë plenare, sipas rregullave të reja. Në kalendarin e miratuar dy ditë më parë, nga Konferenca e Kryetarëve, diskutimet jashtë rendit të ditës janë përcaktuar si pikë e fundit të çdo seance. Përveç këtij ndryshimi, kalendari i ri i punimeve në seancë plenare, duke imituar atë të Parlamentit Europian, parashikon të detajojë procedurën që do të ndiqet për çdo nismë ligjore, duke filluar që nga përcaktimi i relatorëve për çdo komision, të drejtën e ministrave për të folur në çdo moment, si dhe qëndrimin që duhet të shprehin krerët e grupeve.
Kalendari
Debatet e ashpra të seancave të fundit kanë detyruar krerët e Kuvendit të Shqipërisë, që në zbatim të Rregullores së ndryshuar, të detajojnë kalendarin e punimeve të seancave plenare, duke përcaktuar çdo moment diskutimi për çdo projektligj, që do të paraqitet për miratim. Draft-kalendari i miratuar nga Konferenca e Kryetarëve do t’u paraqitet sot deputetëve për miratim, sëbashku me një kopje të kalendarit të punimeve të Parlamentit Europian, për të justifikuar çdo vendimmarrje që mazhoranca ka ndërmarrë sëfundmi në Rregullore. Kështu, në çdo rend dite, për të tre seancat e parashikuara për këtë trejavor, do të paraqitet përveç nismave ligjore edhe diskutantët. Menjëherë pas nisjes së shqyrtimit të një projektligji, diskutimi do të vijojë tashmë me dhënien e mendimit nga relatorët përkatës të secilit komision parlamentar. Më pas parashikohet koha e pyetjeve për përfaqësuesin e ekzekutivit, ose ekspertët, dhe për të vijuar me diskutimet e deputetëve nga salla. Si pikë e veçantë për çdo projektligj, në kalendarin e ri është vendosur, si për t’i kujtuar opozitës me germa me bold, detyrimin se sipas nenit 80, pika 2 të Kushtetutës “Anëtarit të këshillit të Ministrave i jepet fjala sa herë që e kërkon”. Një pikë e kontestueshme kjo nga opozita, e cila kundërshton faktin që përfaqësuesit e ekzekutivit, mund të flasin sa herë të duan dhe sa të duan, pa iu matur koha. Në fund fare, në kalendar parashikohet që për çdo projektligj të flasin krerët e grupeve parlamentare. Pas shqyrtimit të projektligjeve, si pikë e fundit në rendin e ditës të çdo seance, janë parashikuar dhe diskutimet jashtë rendit të ditës. Përveç kësaj pike, të gjitha përcaktimet e tjera kanë qenë dhe më parë, por ajo që vjen si e re në këtë kalendar është detajimi që i bëhet procedurës së miratimit të një ligji.
Projekt-ligjet
Trejavori i ardhshëm parashikohet të jetë i qetë për Kuvendin e Shqipërisë. Këtë përshtypje të lë të paktën kalendari i tre seancave të ardhshme, ku projektligjet e paraqitura për miratim, përveç ndonjë rasti të veçantë, nuk paraqesin ndonjë interes që mund të ngjallë debat mes palëve. Në të tre seancat në vijim janë programuar që të miratohen vetëm 14 nisma ligjore, kryesisht ratifikim marrëveshjesh. Bëjnë dallim vetëm disa projektligje, siç është ai për disa ndryshime në ligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit" apo ai për disa shtesa në ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin".