Rishikimi i pronave nga AKKP, Kushtetuesja pezullon ligjin
Me vendimin e djeshëm, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ndalohet përkohësisht të rivlerësojë vendimet e mëparshme të komisioneve të kthimit të pronave
Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ndalohet përkohësisht të rivlerësojë vendimet e mëparshme të komisioneve të kthimit të pronave. Gjykata Kushtetuese ka ngrirë zbatimin e ndryshimeve të bëra, vetëm 6 muaj më parë, në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, nëpërmjet së cilave AKKP merrte fuqinë ligjore për të riparë të gjitha vendimet e komisioneve dhe agjencive rajonale të kthimit të pronave. Me anë të një vendimmarrje të ndërmjetme, gjykata ka vendosur që të pranojë kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, për të pezulluar zbatimin e këtyre ndryshimeve, deri në shqyrtimin përfundimtar të kushtetueshmërisë së tyre.
Vendimi
Më datë 01 mars 2011, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, me objekt shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të ligjit nr.10308 datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar” dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, të publikuar dje në faqen zyrtare të këtij institucioni, në internet bëhet e ditur se “Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, pasi shqyrtoi kërkesën për pezullim, vendosi: Pezullimin e zbatimit të neneve 2, 3, 5 të ligjit nr.10308 datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Vendim ky që prek thuajse të gjithë thelbin e ndryshimeve të paraqitura nga deputeti Enkelejd Alibeaj dhe të miratuara dy herë nga Kuvendi i Shqipërisë. Fillimisht Kuvendi i miratoi këto ndryshime në korrikun e shkuar. Por vetoja e Presidentit të Republikës, i cili i konsideroi ndryshimet si antikushtetuese, bëri që ato të mos hyjnë në fuqi dhe të rikthehen sërish në Kuvend. Por sërish mazhoranca, me forcën e kartonëve, i miratoi ato, duke injoruar jo vetëm qëndrimin e opozitës, por edhe oponencën e kreut të shtetit. Menjëherë pas hyrjes në fuqi, shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ankimuan këto ndryshime si antikushtetuese në Gjykatën Kushtetuese. Në seancën e para dy ditëve, gjykata për shkak se kërkesat kishin të njëjtin objekt vendosi t’i bashkojë ato, ndërsa gjykoi t’i japë kohë nismëtarit të këtyre ndryshimeve, Enkelejd Alibeaj, për të përgatitur mbrojtjen.
Kundërshtimet
Sipas ndryshimeve të bëra në ligj, krijohet hapësira që çdo individ që nuk ka mundur të përfitojë nga vendimet e mëparshme të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe që gjatë kësaj periudhe ka mundur të grumbullojë fakte të reja, mund të kërkojë rivendosjen e të drejtës së tij në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), pa qenë e nevojshme të shkojë në gjykatë. Për këtë qëllim, shoqata e pronarëve ka kërkuar rrëzimin e ndryshimeve që janë bërë në ligjin “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave” pasi, sipas ish-pronarëve, ligji i ri i jep të drejtën kreut të AKKP-së të rishikojë vendimet e mëparshme të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një formë kjo e cilësuar si e jashtëligjshme, pasi shmang gjykatën. Sipas pronarëve të ligjshëm, çështja e pronës nuk mund të rregullohet me akte administrative, por me vendim gjykate. Ndryshimet i kundërshtuan gjatë miratimit edhe socialistët, të cilët gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve theksuan se nisma nuk ishte brenda kornizës kushtetuese, pasi, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese përcakton se vendimet pothuajse gjyqësore, siç janë ato të AKKP-së, mund të goditen vetëm në gjykatë dhe jo në rrugë administrative. Gjithashtu, ata theksuan se rishikimi i vendimeve të mëparshme cenon gjithashtu një pikë tjetër të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe që ka të bëjë me parimin e sigurisë juridike.
Ndryshimi i bërë në korrik 2010
Neni 2
Pas nenit 15, shtohen nenet 16, 1611, 16/2, 16/3, 16/4, 16/5 dhe 16/6 me këtë përmbajtje:
"Neni 16
Rishikimi i vendimeve
AKKP, mbi bazën e një kërkese për rishikim, shqyrton vendimet e ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish- komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, kur:
a) zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës;
b) vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilave është dhënë vendimi të kenë qenë apo të jenë deklaruar më pas të pavërteta me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) vërtetohet se aktet shkresore, në bazë të të cilit është dhënë vendimi të jenë lëshuar nga zyrtarë të dënuar penalisht për lëshimin e tyre;
ç) vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj, bazuar në faktet e administruara në dosje gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës;
d) zyrtarët që kanë marrë pjesë në dhënien e vendimit kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit;
dh) vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër, që ka ndikuar në marrjen e vendimit, dhe që më pas është prishur/ndryshuar.
Neni 16/1
Vendimet që mund të rishikohen
Kërkesa për rishikim mund të paraqitet vetëm kundër vendimeve të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, të cilat nuk janë duke u shqyrtuar në themel në Gjykatë apo për të cilat Gjykata nuk ka dhënë një vendim themeli të formës së prerë. ~